Ishin rrëfenjat e të atit arsyet që e çuan regjisorin spanjoll Marco Lledo Escartindo të realizonte një film ku historia po aq edhe aktorët janë shqiptarë. “Zgjimi i Enver Simakut” është produkti i një dashamirësie që regjisori, njëherësh dhe skenaristi i filmit kultivoi ndër vite për një vend që dëgjoi të flitej për herë të parë nga i ati.

“Ideja e filmit është shumë e largët. Babai im ishte në Shqipëri në vitet 70 dhe më pas kur unë linda në vitin 1984, ai filloi të më fliste për vendin tuaj dhe vazhdoi deri sa unë u rrita, duke mbjellur tek unë dashurinë për Shqipërinë. Më tregonte histori që zgjuan interesin tim, sepse ishte një vend i panjohur në lindje të Evropës. E më pas e njoha edhe më shumë me këtë vend përmes librave të përkthyer të Ismail Kadaresë.

..”

Ardhja për herë të parë në Shqipëri para pak vitesh ishte një ri-zbulim për regjisorin që në mendjen e tij po thurej ideja e një filmi ku arsyeja dhe imagjinata janë në luftë me njëra tjetrën.

“Karakteristika e parë ishte zhvillimi i imagjinatës te njerëzit kur regjimi komunist e ndalonte fenë dhe e dyta, arsyeja që çoi shqiptarët në ngjarjet e 1997-ës…

“Zgjimi i Enver Simakut” është historia e Zhylienit gazetar që rikthehet në Shqipëri pas 18 vitesh për të zbuluar shkakun e vrasjes së bashkëshortes në vitin e mbrapshtë 1997. Masakra e afër Kishës së Mesopotamit dhe disa xhirime amatore të realizuara nga bashkëshortja e tij janë dy të dhëna që turbullojnë mendjen e Zhylienit.

“50 për qind e të dhënave që rrëfehen janë marrë nga arkivat e shtetit, ndërsa pjesa tjetër është produkt i imagjinatës, duke e bërë atë një film sa dokumentar por edhe të gjinisë horror”.

Për realizimin e tij, Marco zgjodhi më të mirët e aktrimit, Margarita Xhepën, Tinka Kurtin, Viktor Zhustin, Pirro Milkanin e të tjerë.

“Përveç një prej aktorëve kryesor që nuk është shqiptar, të tjerët po. Askush nuk mund ti japë vërtetësi ngjarjes përveç tyre. Ata i kanë përjetuar ato kohë të vështira”.

Pas premierës në Tiranë, “Zgjimi i Enver Simakut” do të vazhdojë shfaqjet në festivalet evropiane të filmit.

Tv Klan