Mesa duket, të gjithë duan të jenë astronautë!

Agjencia Hapësinore Amerikane NASA ka marrë një numër rekord aplikimesh, për 14 pozicione të lira pune si astronautë.

Mbi 18.300 persona kanë dërguar rezymenë e tyre, nga mesi i Dhjetorit deri më 18 Shkurt, trefish më shumë krahasuar me 2012 – ën, hera e fundit kur Agjencia punësoi për këtë pozicion.

Ky numër thyen rekordin e vitit 1978, kur 8 mijë veta aplikuan për të qenë pjesë e një grupi eksporuesish në hapësirë.

Administratori i NASA –s, Charles Bolden, për portalin “Engadget”, tha se nuk ishte aspak suprizë, që kaq shumë amerikanë duan të konstribuojnë në udhëtimin drejt Marsit.

Sipas tij, fakti që kanë kaluar 4 vjet qëkur Agjencia punësoi astronautë të rinj, me shumë gjasa ka ndikuar në këtë numër të lartë aplikimesh.

Por nuk përjashtohen edhe faktorë të tjerë si fakti se NASA, gjatë viteve të fundit ka bërë një punë tepër të mirë në rrjete sociale, duke vendosur një mënyrë komunikimi me publikun, ndërsa edhe filma si Gravity, Interstellar apo The Martian, nuk përjashtohen të kenë ngjallur interesin në eksplorimin e hapësirës.

Megjithatë, nga 18,300 aplikues, vetëm 14 prej tyre do të kenë mundësinë të bëjnë punën e ëndërruar.

Emrat do të publikohen në 2017 – ën. Më pas ata do të trajnohen për dy vjet. Pasi të jenë gati, astronautët e rinj do të kenë mundësinë që të realizojnë ëndrrën e tyre dhe të eksplorojnë hapësirën në bordin e ISS, Orion capsules, CST –  100 Starliner ose Crew Dragon.