Sulmet kibernetike i rëndojnë marrëdhëniet midis Greqisë dhe Turqisë. Ekspertët grekë lëshojnë alarm dhe paralajmërojnë për sulme të tjera.

Gati si njoftim rutinë duket reagimi i ministrisë së Jashtme greke të enjten: “Sulmet kibernetike neutralizohen menjëherë nga instancat kompetente. Në asnjë moment nuk u nxor jashtë shërbimit faqja e internetit të ministrisë”, thuhet në mënyrë lapidare. Çfarë pati ndodhur?

Një ditë më parë grupi i hakerave turq Akincilar (në shqip sulmuesit) pati sulmuar sipas të dhënave të veta faqen e internetit të ministrisë së Jashtme të Athinës dhe pati publikuar veç kësaj një video, që e dokumenton aksionin e tij. Më parë qe depërtuar edhe në faqen e internetit të agjencisë greke të lajmeve ANA. Sindikata e gazetarëve të Athinës, ESIEA e dënoi me ashpërsinë më të madhe sulmin dhe veç kësaj shprehu solidaritetin me gazetarët turq, që luftojnë për lirinë e shtypit në vendin e tyre.

Në stacionin televiziv Skai hakerët turq deklaruan nga ana e tyre se sulmet kibernetike janë një përgjigje për refuzimin nga Athina për të dorëzuar oficerët turq, të cilat u arratisën në korrik 2016 në Greqi. “Ne jemi aktivë kundër forcave, të cilat rrezikojnë unitetin tonë nacional. Për aq kohë sa Greqia i përmbahet linjës së saj të sotme, sulmet do të vazhdojnë”, thotë një anëtar i grupit të hakerëve. Në Athinë vrasin mendjen për identitetin e hakerëve. “Unë mendoj se nuk kemi të bëjmë me qytetarë të thjeshtë, por me agjentë të shtetit turk. Kjo është fare e qartë”, beson Angelos Syrigos, politolog dhe ish-sekretar i përgjithshëm në Ministrinë e Brendshme të Athinës.

 Frikë nga sulme të tjera

Ende nuk ka dëshmi që pas sulmeve të hakerëve janë struktura të organizuara, mendon Jorgos Tzogopoulus, docent për marrëdhëniet ndërkombëtare në Universitetin e Trakës. Megjithatë, qeveria greke do të bënte mirë që ta rrisë vëmendjen për temën e sigurisë kibernetike. “Si në BE, ashtu edhe në SHBA kjo temë gëzon prioritet, qoftë edhe për shkak të shtimit të aktiviteteve të Rusisë në rrjet”, paralajmëron politologu në bisedë me DW.

Hakerët grekë duan ta kthejnë sulmin

Dhe pa humbur kohë të enjten thuhet se ka pasur një kundërgoditje. Hakerë grekë të Anonymous sipas të dhënave të tyre sulmuan serverin e Türk Telekom dhe bllokuan me orë të tëra faqen e internetit të stacionit 24TV Live. Pak para zgjedhjeve në Turqi sulmet do të vazhdojnë, deklaruan hakerët grekë./DW