Itali-Të tjerë persona të gjallë janë nxjerrë nga hoteli i mbuluar nga orteku në Peskara. Deri tani janë gjetur 11 të mbijetuar dhe 5 viktima.

Ekipet e emergjencave civile në Itali, arritën të nxjerrin edhe 4 persona të gjallë nga rrënojat e Hotel Rigopianos në Peskara, që u shkatërrua nga një Ortek pas tërmetit të fundit që goditi Italinë. Në total janë 11 të mbijetuarit, nga ajo që në fillim u mendua se ishte një tragjedi me disa dhjetëra viktima. Për fat të keq është rritur edhe numri i viktimave. Natën e kaluar u nxorën edhe 3 trupa të pajetë, duke e çuar në 5 numrin e viktimave. Autoritetet italiane njoftojnë se 23 persona rezultojnë ende të zhdukur dhe dyshohet se kanë mbetur të bllokuar nën dëborë.

Ngjarja e rëndë ka ngritur një tymnajë dyshimesh rreth funksionimit të autoriteteve të emergjencave. Sipas te dëshmitareve që kanë mundur t’i shpëtojnë tragjedisë, pronari i hotelit ka lajmëruar te gjithë klientët që duhet të largoheshin, sepse situata ishte e pasigurt pas lëkundjeve të tërmetit. Prokuroria italiane ka hapur hetimet për neglizhence të autoriteteve që duhet te kishin njoftuar për ortekun.

Tv Klan