Pacientët që vuajnë nga sëmundjet e rënda të veshkave, rrezikojnë mëtej shëndetin e tyre për shkak të trajtimit jo cilësor mjekesor dhe infrastrukturës së degraduar në Spitalin e Elbasanit. Edhe më e rëndë bëhet gjendja për të sëmurët që trajtohen me dializë.

Numri i vogel i aparaturave dhe amortizimi i tyre ndër vite kur numri i të sëmurëve rritet me të paktën 100 raste në vit bën që ky shërbim të mos jetë efektiv.

Pas 11 vitesh të shërbimit të dializës në Spitalin e Elbasanit nuk është kryer asnjë investim. Gjashtë është numri maksimal i shtretërve në pavionin ku mungon ajri i kondicionuar dhe pacientët duhet të hipin e zbresin me dhjetra shkallë pasi ashensori nuk ekziston.

Mjekët thonë se me rritjen e numrit të pacienteve, të ardhur edhe nga qytete të tjera, shërbimi i dializës bëhet me katër turne. Në disa raste aparaturat ndërpresin procesin ose shfaqin defekte pasi tejkalojnë orët e punës.

Në studime vërehet se 50 deri 60 persona për një milion banorë në vit, humbasin plotësisht funksionin e veshkës. Mbi  175 raste të reja në vit kanë nevojë të trajtohen nëpërmjet dializës.

Sot numerohen mbi 800 raste në gjithë vendin, çka e bëri emergjente investimin për rikonstruksionin e kësaj qëndre spitalore, ku shërbimi ndaj pacienteve me probleme nga sëmundjet e veshkave të marrin shërbimin sipas standarteve evropiane.