Situatë problematike në rrugë për shkak të ngricës

Në orët e mbrëmjes janë ndërprerë reshjet e borës në Qarkun e Dibrës. Pas ndërprerjes së reshjeve temperaturat kanë pësuar ulje të menjëhershme dhe kanë nisur ngricat. Situata rrugore paraqitet më problematike tani për shkak të borës dhe ngricave si pasojë e lagështirës.

Policia ka vendosur postbllok në Klos dhe në Brar-Murrizë dhe nuk lejon kalimin e mjeteve në Rrugën e Arbrit, pasi mjetet bllokojnë punën e borëpastrueseve dhe për të shmangur aksidentet, deri në një njoftim të dytë.

Aksi nacional Peshkopi-Tiranë, kalimi nga Peshkopia deri në Klos kalimi bëhet me zinxhirë. Aksi Peshkopi-Kala e Dodës-Kukës kalimi bëhet me vështirësi me zinxhirë, nga Cereni deri në Vasie fryn erë e fortë dhe grumbullon borën në trupin e rrugës. Aksi Peshkopi Qafë Draj-Kukës, qarkullimi bëhet vetëm me zinxhirë me vështirësi.

Aksi Ura e Çerenecit-Librazhd, qarkullimi bëhet me zinxhirë, më e vështirë është segmenti nga Ostreni deri në Steblevë.

Si pasojë e reshjeve janë pa energji elektrike gjysma e qytetit të Peshkopisë, Njësitë Administrative Lurë, Selishtë, Sllovë, Luzni në Dibër. Ndërsa në Bulqizë Njësitë Administrative Krastë, Ostren, Trebisht dhe fshatrat e Tërnovës në Fushë Bulqizë.

Klan News