Reshjet e mëngjesit dhe të orëve të para të ditës në të gjithë territorin e vendit shkaktuan përmbytje dhe probleme në qarkullimin e mjeteve dhe lëvizjen e qytetarëve.

Durrës

Edhe Durrësi është zgjuar nën ujë. Automjete e këmbësorë janë bllokuar në zonat ku niveli i ujit arrinte deri në 25 centimetra. Rrethrrotullimi pranë stacionit të trenit, rruga pranë stadiumit, shëtitorja “Taulantja” si dhe hyrja e qytetit, ishin zonat e përmbytura. Pamundësi lëvizjeje pati edhe Shkozeti, Plazhi dhe Ish-Këneta. Bllokimi i pusetave, rrjeti i amortizuar, por edhe kolektorët e bllokuar mbeten shkaqet kryesore të përkeqësimit të situatës. Përmbytje të akseve rrugore, ka edhe në zonën e Shkëmbit të Kavajës dhe Malit të Robit për shkak të bllokimit të pusetave.

Fier

Në Fier, moti i keq, solli jo vetëm përmbytje por dhe ndërprerje të përkohëshme të energjisë elektrike. Stuhia me erë të fortë dhe rrufetë sollën vetëm dëme materiale në shtëpi dhe biznese, ndërsa disa aske rrugore u mbuluan nga uji.

Vlorë

Në qytetin e Vlorës ka patur reshje intensive pas mesnatës dhe deri në orët e para të mëngjesit, të cilat sollën probleme në nënstacionin elektrik të Skelës dhe në zonën prapa Universitetit “Ismail Qemali”. Në të gjithë rrugët e qytetit ka patur prezencë të ujit, ku situata më problematike ka qenë në rrugën ‘’Transballkanike’’.

Shkodër

Për shkak të reshjeve intensive që kanë rënë gjatë natës deri në mëngjes, në Shkodër ka patur disa probleme në infrastrukturë.

Lezhë

Edhe shumë rrugë të Lezhës kanë patur prezencë të ujit, duke krijuar probleme në katet e para të pallateve, sidomos në disa banesa dhe biznese.

Tv Klan