Nëse do të pyesje një restaurator se sa përqind e veprave të artit që janë në pronësi të shtetit shqiptar duhet t’i nënshtrohen procesit të restaurimit, ai do të thonte të gjitha. Një kërkesë, që në praktikë është e vështirë për shkak të numrit të vogël të specialistëve, laboratorëve dhe kryesorja, kostos së lartë financiare.

E për këto tre arsye, emergjenca e momentit në laboratorin e Institutit të Monumenteve të Kulturës janë këto katër ikona. Ato i përkasin Muzeut Historik Kombëtar. Konkretisht Gentian Vokopola po punon mbi “Mbledhja e Krye Engjëjve” një ikonë e gjysmës së dytë të shekullit XVIII.  

“Ka shumë ndërhyrje në kohë, është dëmtuar si suporti i drurit ashtu edhe shtresat përgatitore, grunti apo pelikuli piktorik”.

Nuk pretendohet që përmes këtyre ndërhyrjeve të ngjashme me ato të një kirurgu, ikona, ashtu si edhe tre të tjerat të kthehet në gjendjen fillestare.

“Do të kryejmë edhe gruntimin edhe integrimin piktorik me trategio. Detyrimisht ne përdorim akuarel”.

Por ajo që pretendohet nga specialistët që i mbajnë në jetë këto vepra përmes një pune që kërkon profesionalizëm të lartë, kualifikim të vazhdueshëm, njohje të artit të pikturimit dhe mbi të gjitha vëmendje dhe durim i hekurt për të punuar në imtësi, është:

“Ka luhatje të mëdha të temperaturave dhe lagështirës çka shkakton dhe lëvizjen e drurit dhe shtresave përgatitore që i dëmton ikonat. Mungesa e këtyre kushteve krijon një dëmtim të vogël që detyrohemi t’i marrim dhe t’i restaurojmë prap”.

Nuk mund të kemi një datë kur këto ikona do të rikthehen për ekspozim në Muzeun Historik Kombëtar. Dëmi i shkaktuar ndër vite, si nga dora e njeriut dhe mjedisi ku janë mbajtur është i madh, çka do të kërkojë kohë në kurriz të veprave të tjera që presin të restaurohen.

Tv Klan