Media turke ka publikuar rezultatet e para jozyrtare të referendumit në Turqi.

Pas hapjes dhe numërimit të 80.90 për qind të votave, 53.60 për qind e votuesve kanë votuar në favor të ndryshimeve dhe 46.40 për qind e votuesve kanë votuar kundër ndryshimeve kushtetuese.

Rezultatet u publikuan nga agjencia shtetërore e lajmeve “Anadolu Agency”, pasi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve hoqi embargon për publikimin e rezultateve fillimisht e vendosur për në orën 21:00.

Media turke paralajmëron se përqindja e votave në favor dhe kundër ndryshimeve nuk do të jetë kaq e thellë, pasi më parë janë numëruar votat në lindje të vendit, ku edhe Erdogani ka më shumë mbështetës dhe ku votimi ka përfunduar një orë më herët se në perëndim të vendit. Referendumi parashikohet të përmbyllet me një ndryshim shumë të vogël në përqindje.

Rreth 55 milionë turq kishin të drejtë vote, teksa pjesëmarrja në votime u regjistrua në 85 për qind, një përqindje shumë e lartë në krahasim me vendet perëndimore.

Nëse mbi 50% e popullit turk do të votojë “po”, 18 ndryshime kushtetuese do të konvertojnë sistemin qeverisës të Turqisë, nga parlamentar në presidencial. Si rrjedhim zyra e kryeministrit do të shfuqizohet dhe kompetencat ekzekutive do të kalojnë në dorë të presidentit.

Ndryshimet e propozuara në parlament do t’i japin të drejtën presidentit të emërojë ministrat dhe zyrtarët e lartë të qeverisë si dhe gjysmën e anëtarëve të organit me të lartë të drejtësisë në Turqi. Presidenti do të ketë gjithashtu të drejtë të shpalle dekrete dhe të deklarojë gjendje emergjence./tvklan.al