Ndërsa votimi elektronik është një opsion për zgjedhjet, në Tiranë janë prezantuar pajisjet për identifikimin, votimin dhe numërimin e votave. Ato mundësojnë nxjerrjen e rezultatit në vetëm pak orë për gjithë vendin dhe inxhinierët demonstruan për kamerën e Klan Plus mënyrën e funksionimit të tyre. Kompanitë që posedojnë teknologjinë e kanë aplikuar atë në vendet e Afrikës dhe Armeni.

Vijnë nga Holanda, SHBA dhe Venezuela dhe kryesisht kanë fituar të drejtën që të organizojnë votimin elektronik kryesisht në vendet afrikane dhe në Armeni. Ekspozeja e pajisjeve elektronike që mundëson identifikimin elektronik të votuesve dhe më pas votimin elektronik u realizua paralelisht ku ambasadorët u dhanë kurajë opozitarëve, në shpresën e tyre për futjen e teknologjisë në votime. Përfaqësuesit e këtyre kompanive nuk flasin për shifra, sa mund t’u kushtojë shqiptarëve një vendim i politikes për të futur në përdorim praktik këto pajisje në zgjedhjet e ardhshme.

Për dy projektet e dështuara pilotë, gjatë zgjedhjeve të përgjithshme 2013 në Fier dhe Tiranë, për identifikimin elektronik të zgjedhësve dhe numërimin elektronik i votës, Kontrolli i Lartë i Shtetit kallëzoi penalisht në prokurori, ish-kryetaren e KQZ, Lefterie Luzi. Luzi u akuzua se i ka shkaktuar shtetit një dëm prej 2 mln e 600 mijë euro, por si prokuroria edhe gjykata e Tiranës në muajin shkurt të këtij viti rrëzuan padinë e Kontrollit të Lartë të Shtetit, për hetimin e saj. Eksperimenti i KQZ me teknologjitë e reja në vitin 2013 në Tiranë dhe Fier u kushtoi taksapaguesve shqiptarë mbi 4 milionë euro. Gjithsesi, sot ish-kryetarja Luzi është optimiste se këto projekte pilotë mund të zbatohen sërish.

Klan Plus