Zjarri në Manati të Lezhës u riaktivizua sërish pasditen e së hënës. Era e fortë bëri që flakët të përhapeshin sërish, por pa rrezikuar banesat. Më herët ishte provuar që flaket të shuheshin nga ajri, por nuk ishte e mundur. Mbrëmjen e kaluar zjarri në Manati rrezikoi disa banesa.

Disa banorë u evakuan, ndërsa forcat zjarrfikëse dhe 53 forca të ushtrisë punuan gjatë gjithë natës për të shmangur përhapjen e flakëve. Në mëngjes situata ishte nën kontroll.

Më herët një shtëpi u dogj në Torovicë të Lezhës si pasojë e flakëve të zjarrit, ndërsa përshkallëzimi i situatës u mënjanua pas ndërhyrjes së ushtrisë.

Gjatë 24 orëve të fundit në vend u përhapën 15 vatra zjarri që dogjën disa hektarë me ullinj e shkurre.

Në operacione për shuarjen e zjarreve janë angazhuar 153 zjarrfikës me 27 automjete, 138 forca ushtarake dhe helikopterë. Specialistët e Emergjencave Civile janë duke mbajtur situatën në monitorim të vazhdueshëm në të gjithë vendin pasi rreziku i zjarreve mbetet i lartë. TV KLAN