Teknologjia është kthyer në një bashkëpunëtor të domosdoshëm për zhvillimin e turizmit kulturor. Në rritjen e numrit të vizitorëve, investimeve dhe ndërgjegjësimit për trashëgiminë e përbashkët arkeologjike, kontribut po jep edhe rikthimi i të shkuarës përmes realitetit virtual. Si një vend ku zonat arkeologjike tërheqin turistët, Alessandro Furlan sjell në Tiranë eksperiencën e tij sesi të shkuarën mund ta rindërtojmë përmes realitetit virtual, duke e bërë atë të prekshme, të kuptueshme në përmbajtjen artistike dhe kulturore, edhe për atë që nuk është njohës i mirë i historisë dhe arkeologjisë.

“Për vendet mesdhetare kjo është një mundësi e jashtëzakonshme për të krijuar vende të reja pune. Të rinjtë që kanë studiuar histori ose arkitekturë dhe përdorin shumë mirë kompjuterin mund të bëjnë këto rikonstruksione virtuale, që më pas institucionet shtetërore dhe private mund ti shfrytëzojnë për promovimin e vendit. Si në Itali dhe Shqipëri, ne jetojmë me turizmin, veçanërisht atë kulturor që gjeneron para”

, thotë Alessandro Furlan.

Rindërtimi i zonave arkeologjike mbi baza të forta shkencore, janë një vlerë e shtuar edhe në zbulimin e më pas në restaurimin e objekteve arkeologjike, shpesh herë të kritikuara për shkatërrimin e elementëve origjinal.

“Restaurimi virtual nuk lë vend për gabime. Po iu jap një shembull, duhej të kryhej një gërmim arkeologjik pranë Pompeit. Shumë e rrezikshme dhe e kushtueshme, të cilën qeveria italiane nuk e përballonte dot. E morri përsipër Universiteti i Tokios dhe gërmimi u krye vetëm falë pamjeve tona virtuale. Askush nuk do të investonte paratë e tij, sepse sot sponsori komunikon me pamjet dhe jo me hamendësime. Pra virtualja ndihmoi realen”.

Këto ri-ndërtime virtuale të vendbanimeve të hershme janë një alternativë që po shfrytëzohen nga parqet kombëtare arkeologjike.

Tv Klan