Gripi i shpendëve rrezikon të kthehet në Shqipëri. Sëmundja është shfaqur në disa shtete të Europës, çka ka bërë që Organizata Botërore e Shëndetit të Kafshëve, të lajmërojë Ministrinë e Bujqësisë për rrezikun potencial që i kanoset nga virusi H5N8.

9 vende të Europës kanë raportuar ngordhje të shpendëve nga ky virus. Për pasojë, autoritetet në Shqipëri kanë vendosur ndalimin e importit në këto shtete, si për shpendët e gjallë, edhe për ata të therur. 

Ekspertët thonë se sëmundja përbën një rrezik shumë të madh, pasi është e vështirë për t’u diagnostikuar. Ata bëjnë thirrje që qytetarët të mos prekin asnjë shpend të ngordhur, por me ta parë, duhet të njoftojnë Shërbimin Veterinar.

Shqipëria rrezikohet nga prekja e këtij virusi edhe për shkak të shtegëtimit të shpendëve të egra në laguna. Virusi në rastet e prekura rezulton vdekjeprurës për njeriun dhe merret përmes prekjes së shpendit, apo dikujt që është i infektuar.

Tv Klan