Skandali i ndërhyrjes ruse në zgjedhjet amerikane është rikthyer në vëmendjen e mediave, pasi situata në Korenë e Veriut eklipsoi hetimet për një nga çështjet më të mëdha të politikës amerikane.

 Rrjeti mediatik CNN shkruan se ka rënë në gjurmë të një e-maili që thellon më tej përfshirjen e presidentit amerikan në ndërhyrjen ruse në SHBA. Një ndihmës i lartë i Presidentit Donald Trump thuhet se qarkulloi informacion rreth një personi, të paidentifikuar, që donte të organizonte një takim midis zyrtarëve të fushatës Trump dhe presidentit rus Vladimir Putin

Rick Dearborn, i cili tani është zëvendës shefi i stafit të Trump, shpërndau informacione mbi takimin me zyrtare të tjerë të fushatës së vitit të kaluar.

Sipas CNN, Dearborn mori një e-mail mbi organizimin e takimit nga një person që jetonte në West Virginia. Dearbon më pas ka komunikuar me pjesën tjetër të stafit të fushatës. Mësohet se në komunikimet me e-mail, Dearborn është shprehur skeptik për takimin.

E-maili daton me të njëjtën kohë kur Trump dhe dhëndri i tij Jared Kushner u takuan në qershor 2016 me një avokate ruse të Kremlinit.

E-maili u pa si një tjetër e dhënë që dëshmon përpjekjet ruse për të ndërhyrë në fushatën presidenciale me qëllim favorizimin e miliarderit Donald Trump.

Hetimi e FBI-se, mbi skandalin e  njohur si “Russiagate”, po drejtohen nga këshilltari i posaçëm Robert Mueller.

Tv Klan