27 vite më parë, ky kamion rrëzoi murin e pasëm të ambasadës gjermane. Ishte 2 Korriku i vitit 1990, eksodi i madh i shqiptarëve për t’i shpëtuar regjimit komunist, drejt lirisë së ëndërruar, Evropës.

Timonieri i “Skodës” ishte Ylli Bodinaku, ndërsa pasagjerët bashkëshortja, fëmijët ende të mitur dhe 40 qytetarë të tjerë.

Pas më shumë se dy dekada e gjysmë, i ashtuquajturi “kamioni i lirisë” rikthehet në të njëjtin vend dhe datë, por me një tjetër funksion, jo për të shembur mure, por për të mos harruar. Kamioni nuk është ai që i hyri mes përmes murit rrethues, por i ngjashmi i tij.

Ideja e bashkë-autorëve Eljan Tanini dhe Gjergji Islami është jo thjesht një instalacion më shumë në Tiranë, por një destinacion, ku të shkuarën mund ta rrokësh përmes objekteve.

Për mbi 3 mijë shqiptarët dhe yllin që në 1990 e kërkoi të ardhmen në Gjermani, sot “Skoda” e tij është ndalur në Shqipëri.

Tv Klan