Drejtoresha e Kufirit dhe e Migracionit në Ministrinë e Brendshme Aida Hajnaj thotë se nga pala holandeze nuk ka asnjë ankesë për shqiptarët. E pyetur gjatë një inspektimi  në pikën kufitare të Kakavijës ajo tha se Holanda nuk ka shprehur asnjë shqetësim për shqiptarët që udhëtojnë apo qëndrojnë në këtë shtet në kuadër të marrëveshjes Shengen.

Unë e theksoj edhe njëherë se përsa i përket kërkesave për azil të shtetasve shqiptarë në shtetin e Holandës ne nuk kemi pasur asnjë kontestim nga pala homologe, nga autoritetet holandeze në lidhje me këtë fenomen.”

Hajnaj thotë se me palën holandeze do të punohet për evidentimin e rasteve të përfshirjes në veprimtari kriminale të shtetasve shqiptarë.

“Unë theksoj edhe njëherë se Policia e Shtetit shqiptar bashkëpunon ngushtësisht me të gjitha homologet e veta, me misionet, atashetë që janë vendosur në Shqipëri, që mbështesin policinë shqiptare dhe janë të gatshëm për të ngritur grupe pune të përbashkëta hetimi, për të hetuar dhe goditur të gjitha këto grupe kriminale duke filluar që nga transfertat financiare të tyre e deri te konfiskimi i aseteve që ato kanë në Shqipëri”.

Mbi debatin e rikthimit të vizave nga Holanda ka reaguar edhe Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati. Në një postim në Tuiter ai shkroi se “Gjinkallat e dëshpëruara të 25 Qershorit po i kalojnë ethet e gushtit me klithma për kthimin e vizave! Shërim të shpejtë.”/Tv Klan