Paketa e propozuar nga David McAllister më 24 Prill në Tiranë për zgjidhjen e situatës politike në vend, duket se është rikthyer sërish në negociatat mes palëve.

Këtë zhvillim të ri e ka nxitur vizita e Zv/ndihmës sekretarit amerikan të shtetit, Hoyt Brian Yee, i cili gjatë ditës së hënë zhvilloi takime fillimisht me Kryeministrin Rama dhe Kryeparlamentarin Meta dhe më pas me kreun e opozitës Basha.

Burime konfidenciale i thanë Televizionit Klan se në diskutim është një propozim i ndërmjetëm i paketës së ofruar nga McAllister.

Pikat që po diskutohen janë ajo e futjes në qeveri të një Zv/kryeministri të propozuar nga opozita dhe disa zv/ministrave.

Në bazë të këtij propozimi, opozita merr edhe disa garanci të tjera për procesin e ardhshëm zgjedhor. Të njëjtat burime thanë se i është lënë një afat deri të martën kreut të PD-së Basha, të japë një opinion mbi propozimin.

Vetë Basha është shprehur i gatshëm për të dialoguar. Burimet thanë se opozita ka kërkuar edhe një rishikim të datës së zgjedhjeve.

Takimet e Yee në Tiranë nisën me një takim 90 minutësh me Kryeministrin Edi Rama. Pas takimit u vu re se ishte Rama ai që la i pari selinë e Kryeministrisë ndërsa diplomati amerikan doli pak minuta më pas.

Ai iu drejtua zyrës së Kryeparlamentarit Meta, ku zhvilloi një takim 60 minutësh.

Sipas njoftimit zyrtar, Yee është shprehur se “

Bojkoti nuk është zgjidhje dhe opozita duhet të gjejë të gjitha forcat për t’u përfshirë në procesin zgjedhor, për t’i shërbyer demokracisë dhe të ardhmes evropiane të vendit.

Sipas Yee

 “mazhoranca duhet të tregojë vullnet maksimal për përfshirjen e opozitës dhe respektimin e kërkesave dhe të drejtave të saj”.

Ndërsa Meta është shprehur se mbarëvajtja e zgjedhjeve të lira e të ndershme kërkon më tepër përgjegjshmëri e më shumë gjithëpërfshirje.

Në axhendën e zyrtarin amerikan ishin edhe takime të ndara me deputetet demokrate, Majlinda Bregu dhe Jozefina Topalli.

Tv Klan