Arben_Ristani_3Deputeti i Partisë Demokratike Arben Ristani ka sqaruar publikisht incidentin e ndodhur mes tij dhe Kryeministrit Rama gjatë takimit të Dialogut të Nivelit të Lartë, në prani të Komisionerit për Zgjerimin Shtefan Fyle.

Arben Ristani – Deputet i PD:Unë po i adresoja Komisionerit Fyle shqetësimet e opozitës në lidhje me kapjen e institucioneve dhe gjëndjen e rëndë të demokracisë në vend. Teksa unë flisja, Edi Rama kthehet pas shpinës time dhe më sulmon me një fjalor të padenjë për secilin qytetar të vendit, sigurisht krejt të padenjë për një Kryeministër. Etika nuk na lejon që të riprodhoj këtu shpërthimin banal të Edi Ramës. Me qëndrimin e djeshëm, Edi Rama thjeshtë tregoi se ai gjendet sa për sy e faqe në një tryeze më opozitën, pasi në të vërtetë, vlerësimi i tij për Partinë Demokratike është krejt tjetër, është ai që shprehu nëpër dhëmbë dhe pas shpine”.

Sipas Ristanit, qëndrimi i Ramës është moskonsiderimi i opozitës, shkelja e çdo konsensusi, prishja e bashkëjetesës politike dhe goditja edhe fizike e përfaqësuesve të Partisë Demokratike.

Pas kësaj deklarate ka reaguar Drejtori për Komunikimin pranë Këshillit të Ministrave, Endri Fuga, i cili flet edhe në rolin e dëshmitarit okular të tryezës së Dialogut të Nivelit të Lartë.

endri-fugaNë deklaratë thuhet:

Kjo deklaratë është vetëm një detyrim ndaj opinionit publik për të ndarë keqardhjen lidhur me fjalorin e përdorur dje nga përfaqësuesi i opozitës në tryezën e Dialogut të Nivelit të Lartë ndaj Kryeministrit të vendit. I cili, jo vetëm nuk i’u drejtua për asnjë çast zotit Ristani në sesionin e djeshëm, po përgjatë gjithë ndërhyrjeve të tij në të katër sesionet e Dialogut të Nivelit të Lartë ka qenë plotësisht etik me opozitën, ashtu siç kanë qenë të gjithë anëtarët e qeverisë të pranishëm në tryezë. Dalja e sotme e deputetit famëkeq për të shpjeguar se pse përdori një fjalor të ulët në tryezën e Dialogut të Nivelit të Lartë, shpjegon në fakt edhe ndodhinë e djeshme. Si sharjet dje edhe shpifjet sot, flasin në të vërtetë për gjendjen e dehur të një opozite që shan të tjerët pse i merren këmbët.

Në reagim thuhet gjithashtu se keqardhja është e pashmangshme kur dëgjon opozitën e vendit tënd të flasë me fjalorin e një të dehuri përpara të huajve dhe pastaj të dalë të nesërmen e të akuzojë Kryeministrin pse asaj nuk i del pija që i ka humbur ekuilibrin.

Tv Klan