Qeveria pritet të kalojë në parlament projekligjin për rivlerësimin e pasurive të paluajtshme që u jep mundësi qytetarëve  të rivlerësojnë pasurinë sipas çmimit aktual të tregut.

Ky do të jetë një shans që qytetarët të paguajnë vetëm 2 përqind të diferencës mes çmimit me të cilin është blerë një apartament apo një pronë tjetër e paluajtshme dhe atij me të cilin do ta shesin atë.

Për bizneset taksa shkon nga 15 në 3%.

Por çfarë përfitimesh kanë qytetarët nga kjo ulje e taksës dhe cila është formula që aplikohet?

Aktualisht,  gjatë shitjes së pronës, qytetarët i paguajnë shtetit 15 % të vlerës së diferencës mes çmimit të blerjes dhe atij të shitjes.

Nëse një shtëpi është blerë për 10 milionë lekë, por në treg vlera e saj ka arritur në 12 milionë, qytetarët do të mund ta regjistrojnë me vlerën reale në hipotekë, duke paguar vetëm 2 përqind të diferencës prej 2 milionë lekësh, apo 40 mijë lekë. Nëse do të duhet ta shesin, nuk do të paguajnë më taksa në shtet.

Me ligjin e vjetër, do të duhet të paguanin 300 mijë lekë te reja apo 260 mijë lekë më shumë sesa me ligjin që pritet të miratohet.

E njëjta formulë, por me 3% llogaritet edhe për bizneset.

Në fillim qeveria la si afat mundësinë për rivlerësimin e pasurive datën 31 Dhjetor 2016. Por në mbledhjen e një dite më parë, Komisioni i Ekonomisë vendosi ta shtyjë për në datën 28 Shkurt 2017 këtë afat.

Tv Klan