Kërkimi më i fundit artistik i regjisorit Altin Basha mban titullin “Rojat e Taxhit”. Edhe në këtë vepër mbështetur mbi tekstin e shkruar nga dramaturgu amerikan Rajiv Joseph, regjisori sjell një formë të re të bërit teatër paralelisht me angazhimin e tij për të nxitur te publiku procesin e mendimit.

Altin Basha: 

“Merret me një element thelbësor që rezonon shumë fort në shoqërinë shqiptare që është bindja e verbër ndaj liderit. Shkatërrimi i miqësisë në emër të pushtetit dhe sigurisht ushtrimi i pushtetit në mënyrë autoritare”.

Gazmend Gjoka dhe Lulzim Zeqja, Humaxhani dhe Baburi janë dy rojet e “Taj Mahalit”, monumentit shumë të studiuar për simbolikën e tij, nga mishërimi i bukurisë deri te i lavdisë së përjetshme që perandori Shah Jahan ndërtoi për bashkëshorten e tij të ndjerë Mumtaz Mahal. Dy miq të ngushtë që u ngarkohet një detyrë e vështirë, e cila në skenë shndërrohet në një sfidë fizike dhe psikologjike për dy aktorët që do të na rrëfejnë atë që studiuesit e referojnë si më afër të vërtetës së “Taj Mahalit”.

Gazmend Gjoka: 

“Dy personazhet fillojnë si roje dhe i nënshtrohen një kalvari njerëzor për fizikun e tij, për veprimet e tij, për mëndjen e tij”.

Lulzim Zeqja: 

“Është sfiduese për energjinë, përcjell vepra”.

“Rojat e Taxhit” që eksploron të bukurën, autokracinë, tradhtinë e besimin në harmoni edhe me materialet filmike të realizuara nga Florian Çanga, nga e Premtja, premierë në Teatrin Kombëtar “Kujtim Spahivogli”.

Tv Klan