Ata janë dy të rinj shqiptarë që kërkojnë të jetojnë dhe punojnë në Francë. Ronaldo dhe Paloma janë prindër të një foshnje 1-muajshe. Por, si shumë refugjatë të tjerë pa dokumente, janë ndaluar nga autoritetet.

Ronaldo ndodhet në një kamp refugjatësh në Cologne të Gjermanisë dhe do të dërgohet në Shqipëri. Paloma dhe vajza e tyre e porsalindur Amira qëndrojnë në një shtëpi në Lion të Francës.

Çifti i të rinjve shqiptarë kërkon që të ribashkohen përsëri pas ndarjes nga autoritetet.

“Dua të rikthehem në Francë të gjej Palomën dhe vajzën time. Gjithashtu në Francë kemi mundësi më të mira”

, thotë Ronaldo.

Ata i përkasin komunitetit rom dhe familja e tij ka shkuar disa herë në Francë me shpresën për të jetuar aty. Ata qëndrojnë në Caen, vend ku ka një komunitet të madh romësh.

17-vjeçari Ronaldo kërkon që të punojë si mekanik, por për këtë i duhet një diplomë.

“Ky është profesioni im, por që të punoj këtu më duhet një diplomë. Doja të shkoja në një lice profesional, por nuk kam mbështetjen e nevojshme dhe as para. I kam mësuar të gjitha vet, në rrugë”,

tregon Ronaldo.

I riu shpjegon edhe arsyet përse u largua nga Shqipëria së bashku me familjen.

“Disa njerëz donin të merrnin gruan time ta dërgonin në Itali për shfrytëzim prostitucioni. Madje ata erdhën për ta marrë në ditën e dasmë sonë. Ne u larguam..”,

tregon Ronaldo.

Në Caen të Francës qëndrojnë shumë refugjatë jo vetëm nga Shqipëria, por edhe nga vende të tjera. I riu shqiptar kërkon vetëm një mundësi që të bashkohet me familjen e tij dhe të punojë në Francë.

/tvklan.al