Kleriku i moderuar, Hasan Rouhani u rikonfirmua si President i Iranit në zgjedhjet që u mbajtën të premten. Sipas televizionit shtetëror iranian, teksa shumica e votave janë numëruar, ai ka arritur të marrë 58.6 % të mbështetjes popullore, kundrejt 39.85 të kundërshtarit të tij Ebrahim Raisi.

Ky i fundit, një klerik konservator i mbështetur fort nga lideri suprem fetar Ali Khamenei akuzoi stafin e fushatës së Rouhanit se ka thyer ligjin elektoral pasi ka kryer një serë aktesh propagandistike në qendrat e votimit, duke shtrembëruar vullnetin e popullit.  56-vjeçari Raisi, ish-anëtar i të ashtuquajturit “Komisioni i vdekjes” ka luajtur një rol të rëndësishëm në dënimin me vdekje të mijëra të burgosurve politikë në verën e vitit 1988.

Qendrat e votimit mbetën të hapura 5 orë më shumë se sa ishte parashikuar. Kjo për shkak të fluksit të madh të votuesve. Sipas autoriteteve pjesëmarrja në votime ka qenë rreth 70%.

Hassan Rouhani, 68-vjeçar, është një lider i moderuar. Ai premton një vizion të ri për Iranin dhe e shikon marrëveshjen e 2015-ës me Shtetet e Bashkuara, për limitimin e fuqisë bërthamore, si një sukses./Tv Klan