Në mbrëmjen e së martës, Teatri i Fëmijëve doli jashtë mureve të tij, për të interpretuar në një tjetër skenë, atë të të rriturve të Teatrit Kombëtar. Ishte premiera e “Rozi dhe Kopshti Magjik”. Pesë nxënësve, Rozit, Denisës, Gentit, Ledias dhe Arbit mësuesja u jep si detyrë, të vizatojnë kopshtin e tyre më fruta dhe perime.

Krijimi më i bukur do të ishte ai që do të mblidhte më shumë ngjyra. Kështu të gjithë fillojnë udhëtimin e tyre duke njohur frutat dhe perimet, duke i shijuar ato dhe në fund duke menduar se ai përbën edhe kopshtin më të bukur për t’u vizatuar.

Por i kujt është ai? Në fund nxënësit bashkë me mësuesen vendosin të kenë kopshtin e tyre të vërtetë dhe të mbjellin aty fruta dhe perime.

“Rozi dhe Kopshti Magjik” është një vlerë e shtuar në gjithë diskutimet që bëhen mbi edukimin e fëmijëve me natyrën dhe konsumin e ushqimeve të shëndetshme, por që këtë herë mesazhet vinin përmes fjalëve dhe këngëve të fëmijëve.

Për secilin nga aktorët drejtorja e Teatrit të Fëmijëve, Monika Lubonja kishte menduar një çertifikatë pjesëmarrjeje në një produksioni të madh më protagonistë fëmijët.

Jo vetëm skena e Teatrit Kombëtar, por edhe e Teatrit të Operas dhe Baletit apo Universitetit të Arteve, do të përbëjnë pikëtakimet e ardhshme e teatrit me fëmijë.

Tv Klan