Familjes Berisha nga Kosuriqi i Pejës nuk iu ndanë vrasjet gjatë tri dekadave me radhë. Në vitet e ’90-a Shake Berishës i ishte vrarë bashkëshorti.

Para 11 vjetësh asaj i ishin vrarë edhe dy djemtë e saj të mëdhenj. Kurse para disa ditësh ajo varrosi edhe dy djemtë e saj të vetëm, duke ia mbyllur derën familjes

Dy gra janë të vetmet anëtare të familjes Berisha në fshatin Kosuriq të Pejës, që presin për ngushëllime farefisin që hyn e del në shtëpinë e tyre, pas vrasjes së dy djemve të kësaj familjeje tri ditë më parë.

Katër vëllezër të familjes Berisha janë vrarë brenda 11 vjetësh. Derisa nëna e mbetur pa asnjë fëmijë, Shake Berisha, po vuante afrimin e datës kur dy djemtë e saj të parë në gusht do t’i mbushin 11 vjet prej se janë vrarë, në këtë fshat, në një pritë, asaj iu vranë të premten në mbrëmje edhe dy djemtë e tjerë, Arsim Berisha, që ishte 32 vjeç, ndërsa vëllai i tij Ramizi, 27 vjeç. Edhe kryefamiljari mësohet se ishte vrarë në vitet ’90-a.

E humbur në mërzinë e saj, ajo prapë gjen fjalët për ta shprehur dhembjen, duke rrëfyer ditët e kobshme kur humbi djemtë e saj, por edhe mllefin ndaj organeve të shtetit, që sipas saj nuk po tregohen efikase në zbardhjen e vrasjeve të fëmijëve të saj.

Në një rrëfim për “Zërin”, ajo thotë se sikur të përfillej ligji nuk do t’i humbte katër djem. “Do të shkoj gjykatë më gjykatë në Kosovë e në Evropë dhe drejtësinë e fundit do ta kërkoj për fëmijët e mi që m’i fikën dorasit, vrasësit, pa hak e pa hile, as djemtë e parë nuk më kanë pasur hak, as hile dhe as të fundit. Derisa Zoti të ma marr shpirtin nuk do ndalem së kërkuari drejtësi”, thotë ajo.