Egla është një nënë e re e cila po përballet me divorcin. Megjithëse nuk e ka harruar dhunën fizike e psikologjike, frika e saj më e madhe është kujdestaria e djalit të cilën e ka fituar ligjërisht por pala tjetër po ia mbajnë larg. Ajo ka vendosur të thërrasë avokaten e saj në rubrikën “Ka një mesazh për ty”. Ajo me vete ka edhe lodrën e të birit që e mban gjithmonë me vete, në mungesë të të birit.  

“ Më duket sikur Argi im është gjithmonë me mua”– thotë Egla për lodrën e djalit.  

Ajo rrëfen në studio për historinë e saj dhe njohjen me bashkëshortin, ku janë njohur nëpërmjet rrjetit social “Facebook”. Pas kësaj njohje ata vendosën të krijojnë familje me shumë sakrifica, pasi burri i saj nga Saranda ishte pa punë, ndërsa vetë Egla punonte mësuese letërsie në qytetin e Kuçovës. Në muajin e katërt të shtatzënisë Egla merr vesh që bashkëshorti i saj luante kumar. Këtë gjë e kupton teksa në shtëpinë që kishin marrë me qira në Kuçovë, vjen pronari për t’i marrë qiranë. Egla është habitur, pasi mendonte se kjo qira ishte paguar nga Armando.  

“Marr Armandon për të biseduar lidhje me këtë gjë dhe shikoj një shpërfytyrim të atij njeriu që deri dje unë e kisha dashur dhe e kisha adhuruar. Përveç fjalëve ofenduese, shikoj që ai kishte edhe dhunën. Para se kjo gjë të ndodhte, unë jam munduar të shkoja Sarandë dhe të jetoja atje, por ishte e pamundur. Unë nuk gjeja dot një punë, por edhe familja e tij jetonte me qira dhe shtëpi punonte vetëm kunata. Nga ana tjetër Armando është shumë i lidhur me nënën e tij, një marrëdhënie që nuk di çfarë emri t’i vendos. Ajo ishte shumë posesive dhe ndërhynte çdo gjë, tek veshja ime, tek mënyra sesi duhet të shkoja unë shkollë, tek oraret e mia, pra krah unë kisha më shumë vjehrrën sesa Armandon. Unë jam edukuar me dashurinë e të dy prindërve, ndërsa Armando jo. Duke qenë se familja është gjëja më e shenjtë, unë nuk doja që ta shkatërroja që hapat e para. Por ishte e pamundur! Dhuna psikologjike dhe fizike më shkatërroi. Nëse unë isha mësim dhe më binte telefoni duhet ta hapja me patjetër që ai të dëgjonte nëse unë isha mësim. Nuk e di nga i buronte e gjithë ajo xhelozi!” 

Egla rrëfen më tej në studion e “E Diela Shqiptare” se shqetësimin e kumarit e ka konsumuar edhe me nënën e Armandos, por kjo e fundit nuk i ka dalë në mbrojtje duke i thënë se “ai është mashkull dhe do luaj edhe bixhoz”. Ajo justifikonte edhe dhunën e djalit të saj. Rastet e dhunës tek Egla kanë qenë të shumta, por ajo për të mos prishur familjen që sapo kishte ndërtuar justifikonte çdo shenjë dhune të tij. 

“Mbaj mend një të bërtitur dhe një ofezë shumë të madhe dhe pastaj e gjej veten tek fundi i shkallëve. Dëgjoj time motër që i bërtiste atij, “mos e godit”! Unë isha muajin e nëntë të shatzënisë dhe falë Zotit, im bir është sot i shëndetshëm. Kushdo që e shikon, pohon që i ngjan babait tipare. Uroj që karakter mos t’i ngjaj atij.” 

Kjo lidhje e gabuar që Egla krijoi, do t’i mbesë peng për gjithë jetën pasi zhgënjeu babain e vet. Ky i fundit i kishte thënë që ky djalë nuk ishte i përshtatshëm për të, nuk kishte të njejtin formin dhe përgjegjësi për familjen. Por zgjedhjet e gabuara në jetë, bëjnë që të reflektojmë më tepër për vazhdimësinë e jetës dhe t’i dëgjojmë këshillat e njerëzve më të dashur. Ajo tashmë prej një muaji është larg djalit të saj të vogël. 

“Pas lindjes së djalit, shkëputemi Sarandë. Bëj nëntë muajt e lejes së lindjes dhe duhet të kthehesha sërish punë, Kuçovë. Kam një dhimbje të madhe për tim bir, pasi hapat e parë nuk ia kam parë kurrë, as dhëmbët e parë. Bëja rrugë gati çdo javë nga Kuçova për Sarandë për të parë tim bir. Kur unë i thashë Armandos që të vintë edhe ai Kuçovë të jetonte me mua, duke pasur parasysh kushtet të cilat jetonim, vjehrra e kundërshton këtë ide, duke i thënë djalit të saj se nëse ti del nga kjo derë nuk ke për të qenë më kurrë djali im.  Unë nuk e mora me vete djalin tim, me idenë se do të filloja një punë Sarandë, ose Armando do të vinte Kuçovë. Por kjo gjë nuk u realizua kurrë dhe momentin që kam dashur të marr tim bir, kam gjetur vetëm një përplasje dere fytyrë.” 

Një histori e cila nuk mbyllet me kaq. Në ditëlindjen e djalit të vogël. Egla shkon për të festuar këtë ditë të shënuar. Si çdo fëmijë edhe Argi i hidhet në qafë nënës së tij duke e përqafuar, pasi kishte shumë kohë pa e parë. Por ky moment i bukur nuk zgjat shumë, pasi vjehrra i thotë nipit “hajde tek mamaja jote, pasi unë jam nëna jote”. Sipas saj, ajo quhet nënë pasi Egla, nuk paska ditur të kujdeset për djalin. 

“Unë i them Armandos, që a mund ta marr djalin unë sot për ditëlindje? Ndërkohë ajo më thotë që: djali është i imi, ti e merr vetëm të vdekur. A ka ligj botë t’i ndalojë nënës, fëmijën? Unë asaj i jam mirënjohëse se e do fëmijën tim, e ka rritur, por jo të kthehet rolin e nënës.”   

Egla ka sakrifikuar shumë për këtë familje, ka marrë kredi për familjen e Armandos, por të gjitha paratë kanë shkuar në kumar. Të gjtihë dhunën psikologjike dhe fizike që kishte marrë gjatë kësaj periudhe, vendos t’i japë fund duke i kërkuar divorc. Armando në fillim nuk e pranoi një gjë të tillë duke i bërë presione  dhe kërcënime të shumta. Nga këto kërcënime Egla, mori një urdhër mbrojtje. Tani është në fazën e ndarjes, ku në Shkallën e Parë ka fituar të drejtën e kujdestarisë së djalit. Procesi ka shkuar në Gjykatën e Apelit. Ndërkohë avokatja i shkon gjyqtares dhe i thotë asaj se çfarë do të bëhet me djalin, që t’i kaloj nënës, në bazë të urdhrit të parë. 

“Vjehrra që del bashkë me Armandon nga gjykata dhe thonë të njejtën gjë. Fëmija do vdesë  duart tona dhe ti s’ke për ta gëzuar kurrë. Unë nuk arrita ta merrja djalin bazë të një mase sigurie, pra disa gjëra ligjore.” 

 

Një nga mbështetëset e saj kryesore për të fituar djalin është avokatja Stela. Ajo kurrë nuk lodhet me këtë histori dhe i jep forcë, mbështeje morale e shpirtërore Eglës për të ecur përpara. Ajo sot kishte ftuar pikërisht avokaten e saj Stelën në rubrikën “Ka një mesazh për ty”, pasi ka frikë se ajo mund t’ia lërë procesin përgjysëm.  

“E dashur Stelë të kam thirrur këtu, ku përveç falenderimit, që të jam mirënjohëse këtë betejë që kemi marrë bashkë, doja të pohoja edhe diçka. të lutem mos më braktis, qëndro me mua derisa të marrim Argin e vogël.” 

Avokate Stela ia dha premtimin publik Eglës se do të jenë bashkë deri në fund të kësaj beteje ligjore për të marrë sërish Argin e vogël. /tvklan.al