Të dielën, mediat ndërkombëtare i bënë jehonë intervistës së pronarit të një lokali në Londër, punonjësit e të cilit, i shpëtuan jetën qindra personave.

Mark Stembridge, në një rrëfim për “Huffington Post” tregoi sesi ai sëbashku me stafin, tre prej të cilëve ish – ushtarakë shqiptarë i larguan klientët në një vend të sigurt, ndërkohë që në Urën e Londrës tre terroristët bënë masakër.

Stembridge vlerësoi në veçanti reagimin e shpejtë dhe efektiv të tre punonjësve të tij shqiptarë, duke thënë se ata u siguruan që situata të mos përshkallëzohej.

Punonjësit e Cafe Brood, pasi panë tre autorët që iu ishin drejtuar ndërtesës me thikë në duar, i ndihmuan klientët që po darkonin që të futeshin brenda.

Stembridge shpjegoi se stafi ruajti qetësinë, teksa në zonën e tregut Borough kishte shpërthyer paniku.

“Të tre ata po bërtisnin, nuk di të them se çfarë po thonin, por u duk sikur hezituan kur panë se ishim disi të organizuar

“, tha Stembridge për “Huffington Post”, ndërsa shpjegoi se më pas ata iu drejtuan një tjetër ndërtese pranë.

Ai tha se pas sulmit të Westminster, policia e kishte këshilluar për më shumë siguri, ndaj dhe ai kishte shtuar stafin.

“Policia kishte ardhur disa herë kohët e fundit, për shkak të alarmeve për bombë. Na ishte thënë nga policia se çfarë duhet të bënim dhe siguruam pjesën më të madhe të njerëzve. Mendoj se njerëzit janë të ndërgjegjshëm se çfarë po ndodh në Londër momentalisht, ndaj nuk pati panik”

, tha Stembridge.

Sipas rrëfimit të tij, stafi dhe klientët qëndruan përreth gjysmë ore përpara se të evakuoheshin nga policia. Më pas ai dhe stafi shkuan në një hotel aty pranë, derisa zona u sigurua.

Ndonëse policia është vlerësuar për reagimin e saj të shpejtë duke ekzekutuar tre terroristët që vranë shtatë persona e plagosën me dhjetëra të tjerë, Stembridge dhe stafi i tij janë konsideruar si heronj./tvklan.al

https://www.youtube.com//embed/UTcG6yUbPrM