Komisioneri për Negociatat e Zgjerimit në BE, Johannes Hahn, në një referim në universitetin e Harvardit, ka drejtuar gishtin drejt Rusisë dhe Arabisë Saudite, si faktorët që po shtrijnë ndikimin tek vendet e Ballkanit Perëndimor, në dëm të bashkëpunimit me BE-në.

“Ka disa faktorë që po synojnë prej vitesh të ndalin marrëdhënien tonë me partnerët në Ballkanin Perëndimor. Unë kam besim se ata nuk do të kenë sukses. Nuk ka alternativë tjetër strategjike zhvillimi për këtë rajon, as nga Rusia as nga Arabia Saudite, pavarësisht të gjitha marrëdhënieve të tyre historike dhe tregtare. Mos të bëjmë gabime, politika i urren boshlleqet. Nëse BE dredhon nga angazhimet e tij në Ballkan, dikush tjetër mund të përfitojë”.

Hahn u ka kujtuar lidërve ballkanikë t’u përmbahen këshillave të Brukselit.

“Integrimi nuk është një drekë falas. Ne nuk duhet të jemi naivë. Vetëm liderët lokalë mund të bëjnë punën që duhet e t’u shfaqin rezultate qytetarëve. Ata nuk duhet të presin që gjithçka t’u serviret gati në pjatë. Ne duhet të shohim vullnet politik në vend të lojërave dhe po ashtu reforma të vërteta, jo në letër, por në praktikë, për ndërtimin e shtetit ligjor, mbrojtjen e invesitimeve të huaja dhe ndërlidhjen ekonomike rajonale”.

Ndërsa përmendi planin për të anëtarësuar Serbinë e Malin e Zi deri në vitin 2025 komisioneri tha se kohët e fundi ka vërejtur progres në Shqipëri dhe Maqedoni, ndërsa Kosova dhe Bosnja kanë mbetur shumë mbrapa. Për Turqinë, Hahn tha se nën udhëheqjen e Erdohan po largohet me hapa gjigande nga rruga evropiane.

KLAN PLUS