Meta-Cefa-Bylykbashi

Një ditë pasi Gjykata Kushtetuese shfuqizoi nenin 4 të ligjit “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë”, mbi bazë të cilit parlamenti shkarkoi dy anëtarët e këtij institucioni Elvis Çefa dhe Lulzim Lelçaj, kryetari i Kuvendit Ilir Meta u shpreh se parlamenti do të presë të shohë me qetësi zbardhjen e plotë të vendimit e më pas do të vendosë.

Për ish- nënkryetarin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Elvis Çefa vendimi i dhënë nga Kushtetuesja faktoi paligjshmërinë e parlamentit për shkarkimin e tij dhe të ish- anëtarit tjetër, Lulzim Lelçaj. Ai thotë se është në pritje të zbardhjes së vendimit, ndonëse shprehet se teorikisht Gjykata Kushtetuese ka faktuar qënien e tij dhe të Lelçajt si anëtarë të Këshillit të Lartë të Drejtësisë.

Çefa e Lelçaj të cilët kanë ngritur edhe një padi pranë gjykatës administrative shpresojnë që verdiktin e dhënë nga Kushtetuesja ta lexojnë drejt të gjitha institucionet përfshi edhe parlamentin.

Teksa kryeparlamentari Meta nuk dha detaje mbi procedurat që do të duhet të ndjekë parlamenti pas këtij vendimi të Gjykatës Kushtetuese, nënkryetari i Komisionit të Ligjeve, Oerd Bylykbashi thotë se për sa kohë Gjykata Kushtetuese e ka bërë nul shkarkimin nga parlamenti të Elvis Çefës e Lulzim Lelçaj-t, atëherë edhe emërimi nga Kuvendi i  Albana Shtyllës dhe Vangjel Kostës për pasojë është i paqenë.

Tashmë i mbetet parlamentit të veprojë në bazë të vendimit të Kushtetueses për dy vendimet që ka marrë për shkarkimin e dy anëtarëve Çefa e Lelçaj dhe emërimin e dy anëtarëve të tjerë Albana Shtylla e Vangjel Kosta. Por më parë do të duhet që Gjykata Kushtetuese ta zbardhë vendimin.

Tv Klan