Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian kanë reaguar në lidhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, për pezullimin e ligjit të Vettingu-t, që bën rivlerësimin e pasurive dhe kontrollin e figurës së gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Në një deklaratë të përbashkët, dy ambasadorët: ai i SHBA dhe BE që ndikuan më shumë në miratimin e reformës në drejtësi, theksojnë se respektojnë këtë vendim.

Ndërsa i referohen vendimit të Kushtetueses, ku theksohet që do t’i kërkohet mendim Komisionit të Venecias, SHBA dhe BE bëjnë thirrje të mos ketë vonesa.

Ligji i vettingu-t është një nga ligjet themelore të reformës, pa të cilin nuk mund të ngrihen organet që bëjnë rivlerësimin e pasurisë së gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Me këtë ligj është i lidhur edhe ngritja e Prokurorisë së Posaçme dhe gjykatave speciale, i quajtur ndryshe Struktura Anti-korrupsion.

Deklarata e plotë

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian respektojnë autoritetin e Gjykatës Kushtetuese për të shqyrtuar Ligjin e Vetingut dhe pezulluar zbatimin e tij.

Gjykata Kushtetuese ka thënë se do t’ia referojë ligjin Komisionit të Venecias. Nxisim që ky referim të ndodhë sa më shpejt që të jetë e mundur për të parandaluar vonesa./tvklan.al