Të paktën 4 persona kanë humbur jetën pasi një avion 42 – vjeçar sovjetik u rrëzua në det, pak momente pasi ishte ngritur nga aeroporti i Abidjan, kryeqyteti i Bregut të Fildishtë.

Avioni, që po transportonte ngarkesë për ushtrinë franceze përfundoi në brigjet e një plazhi duke u shkatërruar thuajse tërësisht.

Shumë prej anëtarëve të ekuipazhit mësohet se arritën të mbijetonin. Sipas autoriteteve të aeroportit, 6 prej tyre kanë marrë dëmtime, dy prej të cilëve ndodhen në gjendje serioze.

Në bordin e avionit besohet se ndodheshin 10 persona.

Në momentin e ngritjes, e gjithë zona ishte e prekur nga kushtet e këqija atmosferike, me erëra të forta e stuhi. Dëshmitarë në vendin e ngjarjes thanë se avioni ishte rrëzuar vetëm pak momente pasi ishte ngjitur në ajër. Ata thanë se kishin parë të paktën 4 trupa të pajetë, megjithatë numri i viktimave nuk është konfirmuar ende zyrtarisht./tvklan.al