Pas një frike të madhe që pushtoi tregjet në Shqipëri, inflacioni është rikthyer në trendin rritës. Në muajin dhjetor ai shënoi vlerën më të lartë në dy vitet e fundit.

Çmimet në këtë periudhë u rritën me 2.2%. Sipas Institutit të Statistikave, efektin më të madh në këtë ngritjen e kësaj vlere e patën çmimet e ushqimeve, të pasuara edhe nga një rritje sezonale e kërkesës për këto produkte si pasojë e festave.

Gjithsesi vlera e inflacionit vijon të jetë poshtë projeksioneve të Bankës së Shqipërisë, e cila përcakton 3% si shifrën optimale për vendin. Kjo tregon se kërkesa për konsum dhe prirjet drejt kursimit janë akoma të pranishme.

Në tre muajt e parë të vitit që lamë pas, Shqipëria rrezikoi të prekte deflacionin, i cili u ndikua edhe nga çmimet e ulëta që përfshinë tregjet në eurozonë.

Edhe sot shumë degë të industrisë nxjerrëse në vend, vijojnë të kenë fitime në rënie për shkak të kësaj dukurie që përfshiu tregjet globale./ TV KLAN