Një ditë pasi dënuan me 126 vite burg të ashtëquajturit xhihadistë gjyqtarët që dhanë vendimin, janë marrë në mbrojtje nga policia. Burime nga policia konfirmojnë se masat e shtuara ndaj 5 gjyqtarëve vijnë pas asaj që ndodhi mbrëmjen e të martës në Gjykatën për Krimet e Rënda.

Menjëherë pasi kryesuesja Liljana Baku lexoi verdiktin 9 të pandehurit dhe mbështetësit e tyre që ishin në sale, i kërcënuan dhe hodhën sende.

Mësohet se mbrojtjen e policisë e kanë edhe familjarët më të afët të gjyqtarëve. Sqarohet se janë sekeustruar pamjet e kamerave të sigurisë në sallën e gjyqit dhe jashtë saj. Brenda në sallë shihen dhe dëgjohen persona që i thonë gjyqtarëve, që do të vijë dhe koha juaj.

Ndërsa jashtë saj mbështetësit e 9 të dënuarve kërcënuan edhe gazetarët dhe kameramanët, që po raportonin. U desh ndërhyrja e forcave Shqiponja, që këta indidvidë të qetësoheshin. Ndërkohë disa nga këta persona po mbahen nën mbikqyrjen e Shërbimit Informativ për të shmangur çdo të papritur.

Edhe Ambasada Amerikane në Tiranë ka këshilluar qytetarët e saj të jenë të kujdesshëm pas vendimit të Gjykatës për Krimet e Rënda.

Xhevahir Zhabina, TV Klan