Katër persona kanë vdekur dhe të paktën 40 të tjerë kanë mbetur të plagosur pas sulmit terrorist të ndodhur mbrëmjen e së mërkurës, ku një person përplasi me makinë këmbësorët në Westminster, goditi me thikë një oficer policie dhe më pas u qëllua për vdekje nga policia.

Oficeri i vdekur është identifkuar si Keith Palmer, 48 – vjeç, bashkëshort e baba.

Keith Palmer, 48 – vjeç

Kryeministrija Theresa May e përshkruajti sulmin e së mërkurës si të “neveritshëm” dhe përpjekje për të goditur vlerat e lirisë, demokracisë dhe lirisë së shprehjes.

Identiteti i autorit të kësaj ngjarjeje nuk është bërë ende publik nga policia.

Kreu i antiterrorit Mark Rowley tha se e kanë identifikuar atë dhe se ai dyshohet të jetë frymëzuar nga terrorizmi ndërkombëtar dhe islamik, por nuk dha më shumë detaje.

Sulmi në zemër të kryeqytetit britanik ndodhi rreth orës 14:40 me orën lokale.

Autori u fut me një Hyundai i40 në trotuarin mbi urën Westminster pranë parlamentit, në qendër të Londrës, duke vrarë tre persona e plagosur shumë të tjerë.

Makina më pas u përplas me kangjellat jashtë hyrjes së parlamentit.

Autori, i armatosur me një thikë, vrapoi më pas drejt godinës ku u përplas me policin. Palmer, i cili nuk ishte i armatosur, u godit me thikë dhe humbi jetën.

Deputeti Tobias Ellwood , ish – ushtarak, vëllai i të cilit vdiq në sulmin terrorist me bombë në Bali në 2002, u përpoq deri në fund ta shpëtonte efektivin, duke i bërë edhe frymëmarrje artificial, por fatkeqësisht 48 – vjeçari nuk arriti të mbijetonte./tvklan.al