Në kontrast me zhvillimet e tjera, në 6 muajt e parë të vitit punësimi ka shënuar rritje. Instituti i Statistikave ka publikuar anketën e forcave të punës, ku rezulton se vetëm gjatë tremujorit të dytë, punësimi është rritur me 3.4% , një normë mjaft e lartë vjetore, të cilën Shqipëria e ka patur vetëm në periudha të rralla.

INSTAT sqaron se sektori që ka dhënë punësimin më të madh për shqiptarët është ai i degës së shërbimeve, ndërsa rritje ka pësuar edhe industria . Me rënie vjetore rezulton të jetë vetëm punësimi për sektorin e bujqësisë.

Sërish punësimi në ekonominë shqiptare dominohet nga meshkujt, pjesa më e madhe e të cilëve kanë një vend pune, ndërsa gjysma e popullsisë femra rezultojnë pa punë. Vështirësi në punësim kanë edhe të rinjtë ku vetëm 45% e tyre kanë arritur të gjejnë punë.

Rënia e shkallës së punësimit në Shqipëri arriti kulmin në fillim të vitit 2014-të, ndërsa që prej asaj periudhe ka marrë një trajektore rritëse. Rekordin më të lartë të shtimit të vendeve të punës Shqipëria e ka në 2012-ën me 58.2% të popullsisë, ndërsa tani kjo shkallë është 57.3%./Tv Klan