Të ftuar:

Blendi Fevziu – Gazetar

Takimi i fundit i gazetarit Blendi Fevziu me ish-Kryeministrin Sali Berisha është përfolur dhe komentuar nga mediat online si një ritakim domethënës mes tyre, pas një “ftohjeje” prej disa vitesh.

Por, sot gazetari i ftuar në studion e “Rudina” në Tv Klan foli rreth këtij takimi, ku sqaroi se takimi mes tyre nuk ka patur si temë ndonjë ftesë për në emision, apo diskutimet për zhvillimet në Shqipëri. Fevziu tregoi se në takimin me Berishën kanë diskutuar për politikat e jashtme, duke e quajtur takim kortezie, që përkoi në fakt me vizitën në Tiranë të ish-Kryeministrit të New York Rudy, Giuliani.

Gjatë emisionit Fevziu sqaroi se me Berishën ka pasur ndalim komunikimi dhe nuk ka asnjë zënkë mes tyre.

“Jo s’kam biseduar fare për programin, as për probleme të ditës apo politike. Ka qenë një kafe kortezie, pothuajse e gjithë biseda ka qenë e fokusuar tek politika e jashtme. Kam folur për problemet që janë në qendër të vëmendjes kohët e fundit, siç janë raportet mes Turqisë dhe Bashkimit Europian. Nuk kam folur as për programin, as për ftesë, ka qenë një kafe kortezie shumë korrekte. Në Shqipëri është bërë zakon që çdo gjë e kthejnë në lajm dhe portalet ndjekin njëri-tjetrin.

Një takim është i rëndësishëm për të dy personat që takohen. Dikush e konsideron të rëndësishëm për emisionin, dikush tjetër për një gjë tjetër. Ky ishte një takim mes dy personave që në fund të fundit kanë raporte mes tyre, nuk ka rëndësi si mund të jetë raporti. Nuk kishte ndonjë gjë për t’u kthyer në lajm. Berisha ka një ftesë të hapur për të ardhur në emision, por unë nuk kam hyrë në këto biseda. Unë nuk kam patur zënie me Berishën, por ndalim komunikimi për arsye të rrethanave të krijuara nga emisioni. Nuk më ka telefonuar më, më pas as unë nuk e kam telefonuar sepse dy-tre telefonatave të fundit nuk i është përgjigjur. Kaq ka qenë historia. Nuk kemi bërë fjalë dhe nuk jemi sharë. U takova në një kafe dhe nuk bëhet fjalë për tjetër gjë”, tha Fevziu.

Meri Shehu – Astrologe

Jemi në fillim të muajit dhe për të gjithë të apasionuarit e parashikimit të yjeve mund të ndjekin astrologen Meri Shehu për të mësuar se çfarë rezervon fati për ta.

Meri Shehu ishte e ftuar në studion e “Rudina” në Tv Klan, ku tha se Prilli do të jetë një muaj i qetë krahasuar me muajin që sapo lamë pas.

“Një muaji Mars të lodhshëm do t’ia zërë vendin Prilli, një muaj i këndshëm, më i qetë dhe më i sigurt. Kjo për faktin se planeti Afërditë do na japë siguri në aspektin emocional dhe ekonomik. Deri në mes të Prillit do të kemi debate të cilat duhet t’i shmangim për t’i bërë gjërat më pak të vështira”, tha Shehu.

Më poshtë gjeni renditjen duke filluar nga shenjat më pak të favorizuara:

12-Peshqit. Do kenë keqkuptime deri në mes të Prillit, por më pas do marrin forcë miqësitë dhe dashuritë. Mesi i dytë i Prillit do të jetë më i kënaqshëm.

11-Virgjeresha. Do të ekspozohen para disa energjive jo komode për ta, në çështjet ekonomike dhe në sqarime me partnerë në biznes apo çift. Do harxhojnë pak energji me debate në 10-ditëshin e parë të këtij muaji.

10-Bricjapi. Mund të themi që duhet të jenë të vëmendshëm me familjarët dhe në çështjet e pronësisë, vonesat do t’i sjellin pak vështirësi. Periudha pas 20 Prillit premton për ta. Do ndryshojnë shtëpi dhe do merren me mobilime.

9-Gaforrja. Fundi i muajit do t’i gjej shumë romantikë dhe të dashuruar, mund të marrin një lajm të mirë. Duhet të presin fundin e Prillit që gjërat të qartësohen dhe të bëhen më serioze. Ajo që duhet të kenë kujdes në debatet me eprorët që mund t’i lodhin gaforret të cilat mund të kenë edhe ndryshime pune.

8-Luani. Janë në një pozicion komod deri këtu, por energjia e hënës së re në dash do t’i japë shumë forcë për të bërë ndryshime të mëdha radikale. Përballjet derisa të lëhtësohen këto gjëra do të jenë të forta. Do të kenë avantazhe në shumë fusha, plus që mund të vlerësohen më shumë apo ndonjë rritje page.

7-Binjakët. Janë në këtë pozicion sepse Afërdita futet në shenjën e tyre. Të gjitha skandalet që kanë përjetuar ndoshta do t’i shpërblehen. Duhet të jenë të vëmendshëm sepse keqkuptimet dhe skandalet mund t’i shoqërojnë. Në emër të fitimit ata mund të kenë edhe humbje, por do ta marrin veten në fund të Prillit.

6-Shigjetari. Përveç keqkuptimeve çdo gjë do të shkojë mirë. Do të ketë vlerësime në lidhje me punën dhe karrierën. Do të ketë edhe shpenzime të tepërta, nese do bëjnë blerje duhet të kenë shumë kujdes.

5-Ujori. Janë në këtë pozicion sepse do të zbulojnë marrëveshje të fshehta që mund të thuren në kurriz të tyre apo edhe të të tjerëve. Mund të bëhen pak më sociale dhe kjo do t’i ndihmojë për të zënë një punë më të mirë dhe paqja dhe dashuria do të afrohen në jetën e tyre.

4-Peshorja. I’u jepet mundësia për lidhje të reja apo bashkëpunime të reja. Mund të kemi një fejesë apo martesë, do të kenë vendimmarrje shumë të rëndësishme në jetën e tyre.

3-Akrepi. Afërdita do jetë përballë shenjës së tyre dhe ato do të kenë bashkëpunime të mira. Nëse shmangin keqkuptimet në fillim të muajit ata do të kenë stabilitet. Do të plotësohet një dëshirë e madhe e tyre këtë muaj.

2-Demi. Afërdita do jetë në shenjën e tyre gjatë gjithë muajit. Afërdita në shenjën e tyre mund të bëjë mrekulli.

1-Dashi. Janë në muajin e ditëlindjeve të tyre. Afërdita i la dashët, por i ka dhënë shumë benefite. Do të kenë fillime të reja dhe bashkëpunime.