Lideri opozitar rus, Aleksei Navalny, sot është liruar nga burgu, pasi e vuajti dënimin prej 20 ditësh për shkak të organizmit të një proteste kundër presidentit, Vladimir Putin, që nuk ishte lejuar nga autoritetet.

“Jam jashtë”, ka shkruar sot Navalny në rrjetin Instagram, me ç’rast e ka postuar fotografinë e tij në një rrugë.

 Politikani Navalny, që ka shprehur përkushtim për të garuar në zgjedhjet presidenciale në Rusi, në mars të vitit të ardhshëm, tha se është “i gatshëm të punojë” dhe se është nisur për të marrë pjesë në një tubim të mbështetësve të tij në qytetin Astrakhan.

 Sot më herët gjatë ditës, mbështetësit e Navalnyt e mbanin një parullë në një urë afër presidencës së Rusisë në Moskë, ku shkruante se “është koha të lirohemi nga Putini dhe ta zgjedhim Navalnyn”, ka raportuar agjencia AFP.

 Aleksei Navalny, 41 vjçar, ka zhvilluar fushatë aktive për zgjedhjet presidenciale, duke e krijuar një bazë të konsiderushme në mesin e të rinjëve, që pajtohen me mesazhin e Navalnyt për luftimin e korrupsionit në mesin e zyrtarëve të lartë qeveritarë.

 Por, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Rusisë në muajin qershor ka kumtuar se Navalny nuk mund të garojë për zyrë publike, për shkak të dënimit për krime financiare, në njërin prej dy rasteve të profilit të lartë, për të cilat Navalny thotë se ishin të fabrikuara nga autoritetet për shkaqe politike./REL