Rrëzimi i avionit rus nga Turqia në nëntor të vitit 2015, që çoi në pikën më të ulët marrëdhëniet mes dy vendeve, tashmë duket një kujtim i largët. Moska dhe Ankaraja i janë kthyer normalitetit, madje ngritur një dialog të afërt që sa vjen e forcohet. Këtë e dëshmon takimi në Soçi mes Vladimir Putin dhe Rexhep Taip Erdoan, i katërti në 8 muajt e fundit.

Mesazhi i përbashkët që dhanë dy presidentët ishte arritja e një zgjidhjeje politike në Siri.

“Kemi rënë dakord se zgjidhja politike në këtë moment është baza mbi të cilën duhet të përqendrohemi”, tha Erdogan.

Sa i përket marrëdhënieve mes dy vendeve, presidenti rus Putin theksoi se ato janë kthyer në nivelin e mëparshëm.

“Marrëdhëniet tona përfshirë edhe ato tregtare kanë shënuar rritje. Në tetë muajt e fundit kemi rritur me 30% volumin e shkëmbimeve tregtare.”

Përpara takimit me Putin, Erdoan e quajti homologun e tij një “mik të dashur”, duke dhënë një tjetër shenjë të qartë të afrimit të Turqisë me Rusinë, e për rrjedhojë largimin me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Europian.

/Tv Klan