Pas daljes së lajmeve të martën se Rusia zotëronte informacione kompromentuese të një natyre personale dhe financiare ndaj Trump, presidenti i zgjedhur u përgjigj përmes një postimi në Tweeter duke shkruar : “Lajm i rremë – një gjueti politike shtrigash!”.

Në të kaluarën ai ka mohur se Moska ka patur ndonjë ndikim në zgjedhjen e tij dhe është shprehur për vendosjen e lidhjeve më të ngushta me Rusinë.

Sipas medias amerikane, që i referohet burimeve të paidentifikuara, një dokument prej dy faqesh (classified briefing) me këto informacione, i është dorëzuar Trump të premten e javës së kaluar, gjatë takimit që ai pati me zyrtarët amerikanë të shërbimeve të zbulimit, ku ai u informua lidhur me dyshimet se Rusia ka ndërhyrë në zgjedhjet presidenciale amerikane.

I njëjti informacion, i ishte dhënë Presidentit Barack Obama një ditë më parë, të enjten e kaluar.Njoftimi u dha për herë të parë të martën nga rrjeti CNN, por pa hollësi se për çfarë informacioni kompromentues ndaj Trump bëhet fjalë.

Shtypi amerikan shkruante se dyshimi që Rusia mund të ketë patur fakte kompromentuese, dihej që në muajt e fundit të vitit të kaluar nga disa gazetarë dhe politikanë në Uashington. Informacioni, sipas shtypit amerikan që po raporton për të, nuk është i konfirmuar.

Njoftimi për ekzistencën e fakteve kompromentuese ndaj Trump, është hartuar në bazë të raporteve të një ish agjenti të zbulimit britanik, që ka kontakte të shumta në Rusi, puna e të cilit në të kaluarën në Shtetet e Bashkuara është konsideruar e besueshme, gjithmonë sipas njoftimeve të shtypit amerikan.

CNN-i, tha se FBI-ja ishte njoftuar që në gusht të vitit të kaluar, disa muaj përpara zgjedhjeve të nëntorit.

“Ajo që ka ndryshuar është fakti që agjencitë amerikane të zbulimit i kanë kontrolluar raportet e ish agjentit britanik dhe rrjetin e tij të gjerë të kontakteve në Evropë dhe kanë arritur në përfundimin se ai dhe burimet e tij janë të besueshme për t’u përfshirë në informacionin që i dhanë presidentit të zgjedhur Trump”./ tvklan.al