25 shtatorin e ardhshëm kurdët e Irakut kanë thirrur referendum për pavarësi nga Bagdadi zyrtar, duke ngjallur mjaft reagime nga fuqitë e mëdha.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimi Europian, Turqia dhe Irani kundërshtojnë shkëputjen e kurdëve nga Iraku. Uashingtoni në një deklaratë për shtyp e cilësoi referendumin si provokativ dhe destabilizuars për rajonin.

Mirëpo kurdët e kanë një aleat mes superfuqive botërore, Rusinë. Moska nuk e kundërshton referendumin për pavarësinë e kurdëve të Irakut. Në më pak se 1 vit, Rusia është kthyer në financuesin më të madh të rafinerisë së naftës për kurdët e Irakut, me investime deri në 4 miliardë dollarë. Kompania shtetërore ruse e gazit, Rosneft, lajmëroi javën e kaluar një ujdi të fundit, për të ndihmuar në zhvillimin e industrisë së gazit natyral të kurdëve.

Interesi për naftën dhe gazin e kurdëve ka sjellë ndryshimin e qëndrimit nga Kremlini, i cili zyrtarisht, vijon të deklarojë se mbështet integritetin territorial të Irakut. Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, tha në një dalje për shtyp se Rusia është e interesuar që populli kurd të përmbushë shpresat dhe aspiratat si kushdo popull tjetër.

35 milionë kurdë jetojnë të përçarë në Irak, Iran, Turqi dhe Siri dhe aspiratat për referendum kanë ngjallur tensione në mbarë rajonin./Tv Klan