Emanuel Macron, kandidati favorit për postin e presidentit të Francës, ka qenë shënjestër e një grupi hakerash gjatë fushatës presidenciale. Lajmi është bërë i ditur nga stafi i fushatës së liberalit të pavarur.

Sipas pretendimeve të njerëzve afër Macron, hakerat kanë lidhje me Rusinë. Grupi i identifikuar si “Pawn Storm”, ka tentuar të hyje në të dhënat e fushatës. Sipas një raporti nga kompania e sigurisë kibernetike, Trend Micro, janë të paktën 160 tentativa për spiunazh elektronik nga “Pawn Storm”. Grupi i hakerave është i njohur për agjencitë e inteligjencës amerikane, për të cilat ky grup  është krah i inteligjencës ruse.

Kompania Trend Micro tha se hakerat kanë krijuar një faqe të rreme në internet, me qëllim vjedhjen e fjalëkalimeve të stafit të fushatës së Macron. Zyrtarët e inteligjencës amerikane e kanë akuzuar Rusinë se ka ndërhyrë në zgjedhjet presidenciale amerikane më 2016.

Macron, një kandidat pro-evropian, njihet si kritik i presidentit rus, Vladimi Putin. ky i fundit thuhet se ka financuar fushatën e rivales së Macron, kandidate e ekstremit të djathte për presidencialet franceze.

Macron kryesoi në raundin e parë të zgjedhjeve që u zhvilluan të dielën. Në datën 7 maj ai do të përballet me Le Pen në raundin final. Sipas sondazheve, Macron është presidenti i ardhshëm i Francës.

Tv Klan