Teksa djali, dhëndri dhe ish-shefi i fushatës së Donald Trump pritet të dalin para Senatit për të dëshmuar për skandalin “Russiagate”, presidenti amerikan paralajmëron prokurorin special Robert Mueller se nuk duhet të kalojë vijën e kuqe dhe se nuk duhet të hetojë diçka që nuk ka lidhje me përfshirjen e Rusisë në zgjedhjet amerikane.

Sipas CNN, reagimi i Trump vjen pasi Mueller po heton lidhjet e mundshme të djalit të Trump me rusët, madje edhe marrëveshjet në biznes.

Trump Jr, dhëndri i presidentit Jared Kushner dhe ish-shefi i fushatës Paul Manafort do të përgjigjen para Senatit për takimin në kullën Trump, ku morën pjesë avokatja ruse dhe lobistë të njohur të Kremlinit.

Vetë avokatja Natalia Veselnitskaya, tha për RT se është e gatshme dëshmojë edhe ajo në Senat, nëse i garantohet një proces i drejtë dhe siguria.

Në një kohë kur skandali ka marrë përmasa më të mëdha, presidenti Trump ndjehet i braktisur nga bashkëpunëtorët më të afërt.

Në një intervistë për New York Times, ai tha se do të kishte zgjedhur dikë tjetër si prokuror i përgjithshëm, nëse do ta dinte se Jeff Sessions do të tërhiqej. Si mund ta marrësh këtë detyrë e më pas të tërhiqesh, kjo është e padrejtë, tha Trump.

Tv Klan