salvatore letizia

Në datë 9 Prill deri në datën 27 Maj, italiani Salvatore Letizia ka hyrë në Shqipëri gjithsej 5 herë. Ai ka përdorur gjithmonë aeroportin e Rinasit dhe kryesisht është nisur nga Roma.

Vetëm një herë ai ka udhëtuar nga Brukseli, në datën 15 Maj. Sistemi Tims ka regjistruar të gjitha lëvizjet e 34 – vjeçarit me origjinë nga Napoli.

Televizioni Klan ka mundur të sigurojë të gjitha hyrje – daljet e regjistruara të italianit të përfshirë në vrasjen e trefishtë në bulevardin “Zogu i Parë”.

34 –vjeçari ka hyrë në Shqipëri në datën 9 Prill dhe ka qëndruar vetëm dy ditë. Është rikthyer në vendin tonë në datën 17 Prill dhe është larguar 1 javë më pas.

Por pasi ka qëndruar 6 ditë në vendin e tij, ka udhëtuar sërish për në Tiranë dhe ka zbritur në Rinas në 30 Prill.

Në 3 Maj ai është larguar po nga aeroporti “Nënë Tereza”, por këtë radhë ka udhëtuar drejt kryeqytetit Slloven, Lubjanë.

Është rikthyer në Tiranë në datën 15 Maj me një fluturim nga Torino dhe ka dalë në datën 20 të këtij muaji.

Salvatore Letizia do kthehej në Tiranë në datën 27 Maj, ditën e masakrës në bulevardin “Zogu i Parë” ku mbetën të vdekur tre persona.

Prokuroria e Krimeve të Rënda, e cila po heton çështjen, ende nuk e ka të qartë se përse Letizia udhëtonte kaq shpesh drejt vendit tonë.

Ajo që kanë mundur të faktojnë hetuesit, është njohja e 34 – vjeçarit italian me Besnik Sulkun, një nga viktimat e masakrës.

Do të kqyren kamerat e sigurisë së aeroportit të Rinasit për të parë se nga kush është pritur Letizia.

Mediat italiane e kanë identifikuar italianin Salvatore Letizia si një vrasës me pagesë, anëtar i grupeve mafioze të Kamorrës që ka aktivitetin e saj në zonën e Kazertës.

Sipas gazetës “Corriere Della Sera”, 34 – vjeçari Letizia, konsiderohet nga autoritetet si “vrasës profesionist” dhe se sipas saj, është paguar nga një grup kriminal në Shqipëri, për të eleminuar një kundërshtar në trafikun e drogës, si Mentor Lufi.

Gazeta italiane nënvizon se Letizias i është gjetur me vete fotografia e personit që duhet të eleminonte, si dhe arma e përdorur prej tij.

“Il Mattino”, një tjetër e përditshme, shkruan se vetëm dy ditë më pas policia shqiptare ka mundur të hedhë dritë mbi rolin e Letizias në ngjarje, pasi ka komunikuar edhe me autoritet italiane për të shkuarën e tij.

Ndërsa “Il Casertano”, gazeta e vendlindjes së Leticias, pasi bën një përshkrim të asaj që ka ndodhur në Tiranë, pasditen e së mërkurës, shkruan për lidhjet e tij me klanin “Piccolo di Marcianise”.

Po kjo gazetë, sjell në vëmendje arrestimin e tij në 11 Shkurt të vitit 2007, për armëmbajtje pa leje, duke nënvizuar se në momentin e ndalimit, ai mbante të veshur jelek antiplumb.

Ndaj Letizias ka pasur edhe një atentat në vitin 2001, ku ka mbetur i plagosur në këmbë, por ka humbur jetën një shok i tij.

Tv Klan