Sam Allardyce reagoi një ditë pas largimit nga Federata Angleze e Futbollit pas publikimit të një investigimi në një gazetë angleze, ku ai jepte këshilla duke shkelur rregullat e futbollit. Trajneri që drejtoi vetëm 67 ditë përfaqësuesen e Anglisë, doli para gazetarëve për të thënë fjalën e tij pas këtij skandali.

Sam Allardyce (Ish-trajner i Anglisë):

“Kurthi që u ngrit përfundoi me sukses. Po përpiqesha të ndihmoja dikë që njihja prej 30 vitesh, ishte një gabim. Marrëveshja me federatën u arrit në mënyrë miqësore. Unë i kërkova falje drejtuesve të federatës dhe të gjithë atyre që u përfshinë në këtë situatë të pakëndshme. “

“Daily Telegraph” publikoi një video ku shfaqej Sam Allardyce që udhëzonte disa biznesmenë nga Lindja e Mesme se si të shkelnin rregulloren për të përfituar nga transferimi i lojtarëve. Personat e prezantuar si biznesmenë ishin gazetarë të tabloidit të pajisur me kamera të fshehta. Për këtë shërbim, Allardyce do të paguhej nga investitorët e rremë 400 mijë stërlina. Përfaqësuesja e Anglisë do të drejtohet për 4 ndeshjet e ardhshme nga Gareth Southgate deri në emërimin e trajnerit të ri.

Tv Klan