Ish-kryeministri grek Antonis Samaras ka folur për situatën më të fundit diplomatike në vend duke kërkuar që qeveria e Tsipras të japë llogari për deklaratat e fundit të bëra nga kryeministri shqiptar Edi Rama dhe nga presidenti turk Erdoan.

Duke i konsideruar si deklarata provokuese, ai pretendon se Tsipras duhet të japë sa më shpejt llogari për çështjet kombëtare, pasi situata e krijuar vjen si pasojë e një qeverisjeje të dobët në Athinë. Në një intervistë për greken “Evening”, Samaras shtoi se Erdoan po kërcënon sepse po e lejojnë ta bëjë dhe ai nuk është i vetmi që po e bën, duke iu referuar më këtë mënyrë dhe deklaratave të kryeministrit Rama.

Duke qëndruar tek Shqipëria, ish kryeministri grek është i bindur se fqinjët si Shqipëria dhe Turqia po provokojnë, sepse Greqia nuk e ka forcuar ende pozicionin e saj ndërkombëtar dhe para janarit të 2015-ës, çështje të tilla nuk kanë ekzistuar.

Po në lidhje me retorikën e Tiranës, ai komentoi më tej: “Se duke dobësuar pozitën ndërkombëtare të vendit, inkurajohen ata të cilët mendojnë se mund të përfitojnë. Edhe Shqipëria! E cila shfaqet me versionet komike të kërcënimeve të saj,” përfundon Samaras./tvklan.al