Stafeta e Maratonës së këngës, udhëtoi nga perla e Jugut – Ksamili, në qytetin e Elbasanit.

Fundjava i gjeti artistët dhe grupin e produksionit të Tv Klan buzë Jonit, pasi Bashkia e Sarandës, këtë herë, ua ofroi spektaklin e këngës pushuesve të Ksamilit.

Mijëra turistë, shqiptarë e të huaj u mblodhën për të ndjekur artistët e Maratonës dhe hitet e tyre.

Në shesh, nuk munguan të rinjtë sarandiotë, për të dëgjuar live të preferuarit e tyre “Alar Band”, Arinda Gjoni e Ardit Çuni.

Pas një fillimi me këngëtarët e suksesshëm të muzikës çame, duetit Alushi, u ngjitën në skenë edhe emra të njohur të muzikës, si gjakovari Shkëlzen Jetishi e vlonjatja Maya. 

Në saj të mbështetjes së Bashkisë Sarandë e kryetares Floriana Koka, Maratona mbajti ndezur këngën e Jugut dhe veriut dhe në sezonin turistik të këtij viti.

Për Elbasanin mikpritës kënduan 37 artistë.

Një skaletë e ngjeshur e plot ritëm, bëri që publiku të qëndrojë deri pas mesnate duke shijuar e kërcyer muzikën nën ritmet shqiptare.

Mysafire speciale, që nga Merita Halili nga SHBA, por edhe emra të tjerë që përcjellin muzikën e Shqipërisë së Mesme si Irma Libohova, Manjola Nallbani, Valbona Mema, kanë qenë ata që kanë qëndruar në muzikën e kësaj treve, por gjeografia e koncertit edhe këtë herë ka qenë shumëngjyrëshe.

Nën kujdesin e veçantë të Bashkisë Elbasan dhe kryetarit të saj Qazim Sejdini u realizua kështu një tjetër koncert ku qytetarë të ardhur nga diaspora, vlerësuan artistët e Maratonës me duartrokitjet e tyre.

Tv Klan