“Viking SKY”, një nga anijet e mëdha turistike në botë, ankoroi në Portin Detar të Sarandës në Jug të Shqipërisë, me mbi 1000 turistë, kryesisht amerikanë.

Ata ishin vizitorë të qytetit antik të Butrintit, një pasuri e madhe arkeologjike e Shqipërisë që mbrohet prej vitit 1992 nga UNESCO. Autoriteti Portual shqiptar tha se mbërritja e anijes turistike “Viking Sky “ është prekja e parë për këtë vit që pritet të shënojë gati një trefishim të anijeve të mëdha turistike që do të mbërrijnë në brigjet shqiptare përgjatë 2017.

56 anije me kapacitet nga 1000-3500 vizitorë kanë bërë deri tani rezervimet, ndërkohë që priten të mbërrijnë në port gjatë 2017-ës edhe dhjetëra anije më të vogla.

Njëra prej kompanive, “MSC Cruises” njoftoi autoritetet shqiptare se do ta bënte Sarandën destinacion të përjavshëm në udhëtimet e saj në Mesdhe, duke filluar nga prilli i viti 2017.

Edhe kompanitë e anijeve turistike “Cunard, P&O Crusises” dhe “Holland America”, njoftuan fundvitin e shkuar se do t’i shmangnin portet turke gjatë vitit 2017 duke i zëvendësuar itineraret me Korfuzin dhe Sarandën./tvklan.al