Shulz

Të gjithë sytë e europianëve janë drejtuar këtë të dielë tek referendumi grek, që do të përcaktojë marrdhënien e qeverisë së Athinës me kreditorët, por dhe të ardhmen e Greqisë në Eurozonë. Radio gjermane Deutschlandfunk ka zgjedhur pikërisht ditën e referendumit për të transmetuar një intervistë të kreut të Parlamentit Europian, Martin Shulz.

Ai paralajmëron një “Katastrofë”, nëse grekët shprehen kundër propozimeve të Brukselit dhe kreditorëve.

Shulz thotë se ligjërisht për Greqinë nuk do të ketë më vend në zonën Euro, pasi në mungesë të saj, është e pashmangshme hedhja e një monedhe të re në qarkullim për të paguar pagat dhe pensionet.

Por në momentin kur dikush prezanton një monedhë të re, shton Schulz automatikisht vendi del nga Eurozona.

Megjithatë, ai shprehet optimist se grekët do të thonë “Po” në referendum. Në këtë rast, zyrtari i lartë europian thotë se Unioni mund të përgatisë kredi emergjence, për të financuar shërbimet thelbësore publike dhe të parandalojë daljen e vendit jashtë kontrollit, javën e ardhshme.

Ndërsa prestigjozja Financial Times shkruan në një analizë, se dorëheqja e kryeministrit Aleksis Cipras, siç ai vetë ka paralajmëruar nëse humbet në kauzën e tij, mund t’a çojë Greqinë drejt zgjedhjeve të reja.

Koalicioni më i mirë i mundshëm do të ishte ai mes Demokracisë së Re, PASOK-ut dhe Potamit. Pavarësisht se kreu i kësaj të fundit, nuk preferon të jetë pjesë e një koalicioni qeverisës me dy partitë e para, të cilat i sheh si shkaktare të krizës greke. Por ndër të tjera, Financial Times shkruan se duhet parë interesi kombëtar i momentit.

Tv Klan