Schulz zgjidhet kryetar i SPD-së, do të jetë rival i Merkelit

Partia socialdemokrate (SPD) zgjodhi kryetarin e ri: Martin Schulz fitoi të gjitha votat e vlefshme të delegatëve. Kjo e forcon ate në fushatën parazgjedhore kundër kancelares Merkel.

Martin Schulz ishte për momentin i irrituar: gati gjysmë ore foli në Kongresin e jashtëzakonshëm të partisë dhe kërkonte më shumë vende në kopshte, shkolla dhe universitete, kur delegatët filluan të qeshin… “A thua çfarë po ndodhë?”, pyeti. Sërish qeshje me zë. Në ekranin e madh pas shpinës së tij shihej Schulzi që mbante një fëmijë në dorë. Organizatorët e Kongresit tregonin pamje që vet Schulz nuk mund t’i shihte.

“Këtu dukem shumë i lumtur”, tha 61-vjeçari. “Mendova se kam thënë diçka gabimisht”. SPD mbështetë kandidatin e saj për kancelar, pavarësisht se çfarë thotë ai para 2500 delegatëve dhe mysafirëve. Brohoritjet janë të mëdha.

Mbështetje e madhe

Fjalimi i tij zgjati gati 80 minuta. Shumë shpesh u ndal nga brohoritjet e zëshme, në sallën e madhe në Berlin-Treptov. Njerëzit janë euforikë, shpresojnë një ndryshim. Ndryshe nga koha e Sigmar Gabriel, i cili para Schulzit foli gati një orë. Gabriel ishte më i qetë, më i ftohtë, ndonëse nuk mungonin duartrokitjet.

Kongresi tregoi qartë se SPD e do Schulzin. Kjo shihet në çdo kënd. Njerëzit janë të lumtur që Gabriel i ka hapur rrugën Schulzit. Gabriel e di që Schulzi ka një mbështetje shumë më të fuqishme. Për një politikan nuk është fare e lehtë, por ai hapi rrugë për kryetarin e ri dhe kandidatin për kancelar.

“Ta dorëzosh postin e kryetarit të SPD ka qenë një prej vendimeve më të rënda në jetën time, por vendimi ka qenë me vend”, tha Gabriel.

Javët e fundit kanë treguar se vendimi ishte i drejtë. SPD po përjeton një renesansë. Prej 20 % në janar, tani ka mbështetjen e më shumë se 30% të zgjedhësve – barabar me CDU/CSU.

Asnjë votë kundër

“Koha për më shumë drejtësi”, me këtë moto SPD do të fitojë zgjedhjet e ardhshme. Schulz premton se do të angazhohet që në Gjermani të ketë më shumë drejtësi. SPD i beson dhe e mbështetë tërësisht në këtë garë. Në Kogras ka pasur gjatë votimit 608 vota. Tri prej tyre janë të pavlefshme. Kundër asnjë! 605 vota “për” Martin Schulzin. Për herë të parë në historinë e SPD është zgjedhur një kryetar partie pa asnjë votë kundër. Me këtë bilanc nuk ka llogaritur as vet Schulz. “Besoj se ky votim është vetëm fillimi drejt marrjes së postit të kancelarit”, tha ai pas zgjedhjeve. SPD do të ketë në qershor edhe një Kongres. Ndërsa zgjedhjet e reja mbahen në shtator. Por edhe CDU/CSU dhe kandidatja e tyre Merkel me siguri që do t’i mobilizojnë të gjitha forcat./DW

Kategori
BotaTe funditTë gjitha
0 Komente

Përgjigju

*

*





Emisione








Të Lidhura