Kandidati për kryeministër nga radhët e koalicionit PAN, Ramush Haradinaj, gjatë ditë së sotme, ka zhvilluar një takim konsultativ me përfaqësues të pakicave joserbe, të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës.

Ai ka thënë se e ka marrë mbështetjen e këtyre të fundit për krijimin e Qeverisë me të në krye. Nesër do të ketë takim me përfaqësues të pakicës turke në Kosovë. Kandidati i PAN-it thotë se seanca konstituive për formimin e institucioneve të vendit ka mundësi të mbahet në javën që vjen.

Haradinaj, në një prononcim për Gazetën Express, nuk ka dhënë ndonjë datë se kur mund të thirret seanca konstituive, por nuk e ka përjashtuar mundësinë që kjo seancë të mbahet në fillim të javës së ardhshme.

“Ekziston një presion kohor edhe Kosova ka mbetur në pritje të formimit të institucioneve, kështu që në afatin e parë shpresoj të thirret, besoj që kjo do të bëhet në javën që vjen. Seancën e thërret kryesia e vjetër”, ka thënë Haradinaj.

Ndërkohë që tutje ai u shpreh se gjatë takimit të sotëm me pakicat joserbe ai mori mbështetjen e tyre.

“Po, takimi i sotëm përfundoi, i takova të gjithë një e nga një. Ata dhanë përkrahjen e tyre rreth krijimit të Qeverisë”, ka thënë tutje Haradinaj. Ai shtoi se gjatë ditës së nesërme do të takohet edhe me pjesëtarë të pakicës turke në Kosovë.

/Klan Kosova