Me kërkesë të këshilltarëve të Lëvizjes Socialiste për Integrim në Këshillin Bashkiak të Tiranës, është thërritur në një seancë dëgjimore për problemet e ujësjellësit të kryeqytetit, Kryetari i Bashkisë, Erion Veliaj.

Në një deklaratë për shtyp, grupi i këshilltarëve të LSI-së në këshillin bashkiak të Tiranës sqarojnë se thirrja e seancës dëgjimore synon një njohje më të plotë e të detajuar të të gjithë problematikës që ka ujësjellësi i Tiranës, të cilat nuk janë të lidhura vetëm me nevojën për rritjen e çmimit, po pikësëpari me domosdoshmërinë e mirëmenaxhimit të këtij sektori jetik dhe të ujit si pasuri kombëtare.

LSI thotë se duhet mirëmenaxhim

për rritjen e faturimeve që janë në një nivel skandaloz që nuk i kalon as 30 përqind të prodhimit, për luftën kundër informalitetit e lidhjeve të paligjshme të shumë bizneseve të deputetëve të PS–së apo të bizneseve të klientëve të pushtetit me fabrika birre, me fabrika pijesh freskuese apo alkoolike, me pika karburantesh që përdorin pa kontratë ujin e pijshëm për lavazhe e me dhjetëra e dhjetëra biznese të tjera te zona e Freskut, në Tufinë, në unazën e re apo në të gjithë autostradën deri në Vorë!”.

Por një arsye themelore që këshilltarët e LSI-së kanë thirrur këtë seancë dëgjimore, theksohet më tej në deklaratë, është edhe garantimi i transparencës për qytetarët, sepse në fund të fundit bashkia është e tyrja dhe interesi i tyre është parësor.

Në dëgjesën e zhvilluar në Bashkinë e Tiranës, Kryebashkiaku Erion Veliaj shpjegoi arsyet e kërkesës për rritje të çmimit të ujit të pijshëm. Veliaj tha rrjeti i ujësjellësit kërkon investime për të siguruar shërbimin 24 orë. /tvklan.al